Dy sfida për të harruar Botërorin. Italian pret Anglinë në Milano më pas udhëton drejt Budapestit ku mbyll kualifikueset e Ligës së Kombeve kundër Hungarisë. Roberto Mancini pranoi se në këto dy sfida do të provojë zgjidhje të reja për të përforcuar përfaqësuesen “azzurre”:

“Rezultati është i rëndësishëm pasi në këtë grup mund të ndodh gjithçka. Kam vendosur të afrojë disa lojtarë të rinj për të mësuar më shumë nga ekspertët”, theksoi Mancini duke u ndalur më pas te problemet që Italia ka në fazën sulmuese, aq sa vendosi të kthej sërish në ekip Ciro Immobile-n:

“I vetmi që luan prej kohësh titullar është Ciro Immobile, për pjesën tjetër më duket shumë absurde se si në Itali luajnë kaq shumë sulmues të huaj. Shpresoj që ky trend të ndryshojë sa më shpejt, në mënyrë që në të ardhmen të kemi 2-3 sulmues italian. Ne duhet ta nisim nga Evropiani i fituar, por që nga ajo koha kanë ndryshuar disa gjera, lojtarët tanë kanë pasur pak minuta. Jemi pak në vështirësi, por po përpiqemi të japim maksimumin”, theksoi Mancini i cili shtoi ndër të tjera se Verratti nuk do të jetë pjesë e kombëtares në këto dy sfida.

 

italia ndodhet në Ligën A në Grupin 3 së bashku me Gjermaninë, Anglinë dhe Hungarinë. Pas 4 ndeshjeve ky grup kryesohet nga Hungaria me 7 pikë, Gjermania 6, Italia 5 dhe Anglia në vendin e fundit me vetëm 2 pikë.(BalkanWeb)