Problematikat e mëdha me energjinë elektrike janë përmirësuar. Këtë deklaron shefi i sektorit teknik të OSHEE-së Shkodër, Gjon Bala.

Sipas tij, një defekt në zonën e Dukagjinit është drejt fundit, ndërkohë që në Laç – Vau Dejës është zëvendësuar një transformator i djegur. Me energji elektrike furnizohen edhe zona e Shllakut dhe Komanit. Përsa i përket qytetit problematikat janë gati drejt fundit. Përmirësimi që nga dita e premte është i madh dhe pritet që shumë shpejt gjithçka të shkoj drejt normalitetit.

Sipas Balës, nëse në vazhdim do të kemi mot të vështirë dhe me erë shpresohet se do të evitohen problemet e mëdha. Ndërkohë, problematika e këtyre ditëve ishte si pasojë e dëmtimit të nënstacionit “Shkodra 1”.

Si pasojë e erërave të fuqishme, pothuajse i gjithë qarku Shkodër ka qenë nën pushtetin e errësirës. Edhe qyteti ka patur problematika të theksuara. Me mungesën e energjisë, ka munguar gjithashtu edhe furnizimi me ujë të pijshëm.