Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër

Komisariati i Policisë Shkodër arrestoi shtetasin F. C., 40 vjeç, banues në Qerret Shllak, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe djalit të tyre të mitur.

Komisariati i Policisë Vau i Dejës referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin A. P., 38 vjeç, banues në fshatin Stajkë, pasi ka kanosur dhe dhunuar ish-bashkëshorten e tij.

Seksioni i Krimeve Ekonomiko-Financiare referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin R. S., 58 vjeç, banues në Shkodër, pasi nga kontrollet dhe verifikimet e kryera në subjektin për shitjen e pjesëve të automjeteve, që administronte, rezultoi se e ushtronte aktivitetin në mënyrë të paligjshme. Gjithashtu, gjatë kontrollit në këtë subjekt janë gjetur pjesë automjetesh të dyshuara të kontrabanduara.

Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Shkodër referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit H. A., 58 vjeç, banues në Postrribë dhe D. K., 44 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri, pasi gjatë kontrollit në stanin në pronësi të shtetasit H. A., u gjet sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, si dhe një motomjet pa dokumentacion, në pronësi të shtetasit D. K. Lënda narkotike dhe motomjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të 2 informacioneve të dhëna ditën e djeshme, për 2 aksidente, ju informojmë se specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore:

– arrestuan shtetasin T. P., 73 vjeç, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”, pasi në aksin rrugor “Shkodër-Mjedë”, në fshatin Vukatanë, me automjetin që drejtonte, ka përplasur motomjetin me drejtues shtetasin D. N., 82 vjeç, banues në fshatin Vukatanë. Si pasojë është dëmtuar 82-vjeçari, i cili ndodhet në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën;

-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, për drejtuesen e automjetit, shtetasen E. R., 34 vjeçe, dhe për drejtuesin e motomjetit, shtetasin N. M., 77 vjeç.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakEMIGRANTËT PRITEN ME PROTESTË
Artikulli tjetërBOTOHET NË FLETOREN ZYRTARE VENDIMI, NGA 1 JANARI RRITJE E TRAJTIMIT FINANCIAR PËR 6 MIJË EFEKTIVË TË FA