
Shqipëria edhe vitin e kaluar kishte nivelin më të ulët të produktivitetit të punës në Rajon dhe një ndër më të ulëtit në Europë. Sipas të dhënave nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), Prodhimi i Brendshëm Bruto për orë pune në Shqipëri vitin e kaluar vlerësohej në 16.5 dollarë ndërkombëtarë.
Ky tregues është rritur me 18.2% krahasuar me vitin 2023, por hendeku me vendet fqinjë të rajonit ende ngelet i konsiderueshëm.
Zakonisht, produktiviteti i punës matet si raport i vlerës së prodhimit me kohën e shpenzuar për ta prodhuar. Statistikat krahasuese përdorin si njësi matëse dollarin ndërkombëtar, njësi monetare hipotetike që përdoret në funksion të paritetit të fuqisë blerëse.
Mes vendeve të rajonit, Shqipëria paraprihet nga Bosnje Hercegovina, me 26.5 dollarë, Serbia, me 28.8 dollarë, Maqedonia e Veriut, me 33.6 dollarë dhe Mali i Zi, me 37.5 dollarë.
Statistikat e ILO nuk japin informacion për Kosovën. Shqipëria renditet e parafundit në gjithë Europën, duke lënë pas vetëm Moldavinë.
Faktorët kryesorë që përcaktojnë nivelin e produktivitetit janë investimet në teknologji dhe automatizim, inovacioni dhe cilësia e kapitalit njerëzor ose aftësitë e forcës së punës. Një ndikim gjithashtu mund të ketë edhe struktura e ekonomisë dhe pesha në të e sektorëve që në përgjithësi mundësojnë një vlerë më të madhe të shtuar për njësi kohë pune.






