Në pamjen e jashtme zonjës, që del në pultin e referuesit, nuk i dallohet asgjë, që ky fjalim do të jetë ndryshe, një fjalim krejt i veçantë.

Rreth katër herë në vit jep deklaratën qeveritare përpara Bundestagut, gjithsej ajo ka mbajtur 64 fjalime të tilla. Por ky është i fundit, Merkel nuk rikandidon në shtator dhe as nuk do të jetë më pjesë e parlamentit të ri.

Këtë të premte nis sezoni i pushimeve të verës, ndoshta Merkel pas zgjedhjeve do të vazhdojë të ushtrojë funksionet në formë komisare në kancelari, por në rrethana të tilla deklaratat qeveritare janë të pazakonta.

Merkel gjatë gjithë këtyre viteve ka dhënë deklarata për financat, politikën e Euros, mbrojtjen e klimës, shkëputjen nga energjia bërthamore, për Brexit-in, politikën ndaj refugjatëve. Gjithmonë në të njëjtin stil. Qartë, profesionalisht dhe me fakte.

“Pandemia ende nuk ka marrë fund”

E pra kështu është, kjo do të jetë sivjet edhe tema e samitit të BE-së në Bruksel brenda së njëjtës ditë. Merkel vlerëson përparimin me vaksinimet dhe situatën aktuale me numrin e ulët të infeksioneve, por: “pandemia ende nuk ka marrë fund e aq më keq në vendet më të varfëra të botës.

Por edhe ne në Gjermani e në Europë vazhdojmë të lëvizim në një terren të brishtë. Ne duhet të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm. Veçanërisht variantet e reja që po shfaqen të virusit si ai Delta na paralajëmrojmë të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm.”

Një refuzim të prerë jep Merkel lidhur me diskutimet, kryesisht në SHBA, për zbutjen pjesërisht të mbrojtjes së patentimit për vaksinat. Zhvillimi i mëtejshëm i vaksinave do të arrihet, vetëm nëse ruhet e drejta për mbrojtjen e pasurisë intelektuale.

Përballje kërcënimeve hibride

Edhe arenat ndërkombëtare të luftës do të jenë temë në Bruksel, e për këtë arsye fjalimi i Merkelit merr një notë si një amanet i saj.

BE-ja duhet më në të fund të japë një përgjigje të përbashkët ndaj “kërcënimeve hibride” nga Rusia, Kina dhe Turqia. E njëkohësisht duhet të vazhdojë të bashkëpunojë në mënyrë pragmatike me këto vende.

Mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe demokracisë nuk duhet të jetë vetëm detyrë e SHBA-së. Paaftësia për veprim e Europës që vërehet në shumë çështje e preokupon Merkelin, kjo ndihet në fjalimin e saj.

Përndjekja e opozitarëve në Rusi, politika e disinformimit në të gjithë botën: Ndaj këtyre duhet një përgjigje e qartë, sipas Merkelit, sepse “ngjarjet e muajve të fundit, e jo vetëm në Gjermani, kanë treguar qartë, që nuk mjafton kur ne reagojmë të pakoordinuar ndaj provokimeve ruse. Vetëm kështu ne do të mësojmë t’i kundërpërgjigjemi sulmeve hibride nga Rusia.”

Më e përqendruar se herë të tjera duket Merkel, fjalimi i saj është dukshëm më i shkurtër dhe më konçiz se zakonisht.

Scholz falenderon personalisht Merkelin

Meqënëse deklarata e fundit qeveritare e gruas, që ka drejtuar fatet e Gjermanisë për një kohë që duket si e pafund, tërheq kaq shumë vëmendje, pas fjalës së saj nxitojnë në pultin e referuesit pasueset e pasuesit e mundshëm të saj. Kandidati kristiandemokrat për kancelar Armin Laschet e merr fjalën, po ashtu edhe kandidatja për kancelare e ekologjistëve, Annalena Baerbock.

Ndërkohë që socialdemokratët përmes një truku ia kanë dalë që edhe kandidati i tyre për kancelar Olaf Scholz, i cili nuk është pjesë e parlamentit, ta marrë fjalën. Grupi parlamentar i socialdemokratëve ia ka kaluar atij të drejtën e fjalës, sepse Scholz është ministër i Financave, e formalisht është e pazakontë që ai të mbajë fjalim.

Kjo tregon, se të gjithë duan të dalin në fokus për t’u shkëputur nga hija e Merkelit. Scholz është i pari, që përmend, se me shumë gjasë kjo është deklarata e fundit qeveritare e Merkelit: “Eshtë për mua një rast i veçantë për të dhënë një mesazh: Dua të falenderoj kancelaren për bashkëpunimin në politikën për Europën gjatë këtyre viteve. Ne kemi arritur shumë përparime për Europën. Kjo nuk ka qenë e vetëkuptueshme. Unë besoj, që kjo është mirë për Gjermaninë dhe për Europën.”

E qetë gjatë pyetjeve kritike në adresë të qeverisë

Edhe të enjten (24.06) kishte mjaft për t’u miratuar në parlament. Për herë të fundit Merkel u pozicionua në Bundestag lidhur me pyetjet në adresë të qeverisë. Këtë ritual parlamentar në fakt Merkel nuk e ka pasur asnjëherë për zemër, por ky rregull është ruajtur në marrëveshjen e koalicionit me insistimin e socialdemokratëve kur u krijua qeveria më 2018.

Me argumenta bindëse Merkel u përgjigjet pyetjeve lidhur me përparimin në procesin e vaksinimit, mbi gjendjen e buxhetit, të ardhmen e pensioneve, si dhe mbi pajisjen e mjerueshme të Bundesweher-it.

Për secilën pyetje ajo ka një minutë kohë të japë përgjigje, por ajo e vë në pah që e ka të vështirë të shohë orën: “Kur kam shumë mendime në kokë më duhet të jem e përqendruar, që të mos ngatërrohem.”

Disa deputetë e fotografuan kancelaren nga celulari, sikur të ishin turistë. Por edhe kësaj here Merkel ishte ajo që ka qenë gjithmonë. Asnjë fjalë personale nuk konsumoi ajo lidhur me paraqitjet e saj të fundit. Një gjë e tillë nuk është pjesë e stilit të saj, as pas 16 vjetësh./DW/