POSTIMI I PROFESOR ARBEN PRENDI

I dashur… ish-studenti ynë në programin e studimit Bachelor në Gjuhë-Letërsi. Më gëzon fakti që je një nga ish-studentët tanë dhe ke arritur që të integrohesh në jetën kulturore, duke u bërë një nga studentët e suksesshëm të Universitetit “Luigj Gurakuqi” dhe jo “dishepull” i ndokujt. Të diplomuarit nga ky universitet, kanë dhënë e po japin kontribute në fusha të ndryshme të jetës së shoqërisë shqiptare apo edhe më gjerë. Nuk është nevoja të bëj lista… Njëri prej tyre, je edhe ti.

Lidhur me çështjen që shtroni, më duket se jeni vonë dhe pak “mosmirënjohës” ndaj institucionit ku keni përfunduar studimet dhe keni pasur, besoj, mbështetje maksimale, profesionale dhe njerëzore. Zakonisht ata që kryejnë studimet janë solidarë me institucionin ku i kanë kryer këto studime, pavarësisht se gjithmonë, kur jemi studentë, mendojmë se na janë bërë padrejtësi.

Pra, nderi profesional e do që të jesh mbështetës i universitetin ku jeni diplomuar, madje të jepni edhe kontribut për përmirësimin e imazhit të tij, në mënyrë ndërtuese. Nuk po them të pajtohemi me të keqen, por të jemi objektivë dhe pa mllefe. Për t’u kthyer tek çështja e universiteteve: gjendja e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” është e njëjtë me atë të të gjitha universiteteve publike shqiptare, si në kuptimin negativ, ashtu edhe në kuptimin pozitiv; ndërkaq gjendja e universiteteve publike pasqyron krizën në të cilën gjendet shoqëria dhe politika shqiptare që ka drejtuar në këto vite; sigurisht edhe pedagogët janë pjesë e kësaj shoqërie.

Universiteti është pjesë e procesit ku gjendet shoqëria shqiptare e tranzicionit. Në këtë universitet ka shumë pedagogë me arritje në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, ka edhe disa që vetëm marrin rrogën… si në të gjitha institucionet publike. Më duhet të kujtoj, se para 8 vitesh në degën tonë kishim mbi 100 studentë, jo pse universiteti ishte më cilësor, as pse qeveria ishte më e mirë, por sepse kishte më shumë banorë në trevat e Veriut të Shqipërisë, kishte më shumë shkolla fillore, të mesme, që funksiononin dhe kishte më shumë mundësi për njerëzit që të jetonin në fshatin e tyre, në qytetin e tyre etj.

(Po cila fushë e jetës sonë është duke njohur përparim: ekonomia, drejtësia, mjekësia?!) Pra, këto përqindjet që shiten si cilësi janë pallavra që i prodhon ruleta e portalit të qeverisë, e cila komandon se në cilin program studimi përfundojnë maturantët. Rënia e përqindjes studentëve në universitetet publike përkon me: hyrjen në fuqi të ligjit të ri për IAL-të; rënien lindshmërisë në mënyrë dramatike; përkon me rritjen e kërkesës për emigracion dhe migracionin për arsye ekonomike,; me mungesën e një strategjie

kombëtare për arsimin e lartë; me një revansh të universiteteve private, pas të cilëve qëndron politika dhe qeveria; në dy vitet e fundit, kjo përkon edhe me situatën e pandemisë, ku universitetet publike nuk kishin kapacitete për të bërë investime për mësimin online, sepse buxheti i qeverisë për arsimin e lartë është qesharak; dhe në fund përkon me: vendosjen arbitrare të notës mesatare në disa programe që qeveria i emërtoi si “mësuesi”.

Siç je në dijeni, kjo prodhoi paradoksin që një maturant hyn për të studiuar për jurist, ekonomist etj., me mesatare 6 ndërsa për mësues me mesatare 7.5 në një kohë që, edhe ti e di, se diploma Bachelor nuk është diplomë profesionale, pra nuk të jep të drejtën të punësohesh si mësues. Secila prej çështjeve që rendita, kërkon një shtjellim më vete e këtu nuk është vendi. Pra, ata që arsyetojnë objektivisht, e kanë të qartë, se këtu nuk bëhet fjalë se Universiteti i Shkodrës qenka më i dobët e të tjerët na qenkan “majat” e dijes e shkencës shqiptare.

Nuk ka asnjë studim, nga askush për këtë. Si zakonisht, ka vetëm llogje portalesh private e qeveritare. Nëse një reformë që çon në mbylljen e kopshteve, shkollave fillore, të mesme dhe të universiteteve në rrethe, na duket e suksesshme atëherë le ta votojmë e ta mbështesim dhe të gjithë shqiptarët të mblidhen për të jetuar vetëm në dy qytete ose të ikin “të lumtur” edhe një herë nga vendi i tyre ,si në kohën e rënies së regjimit komunist, se vatanin e kemi në duar të sigurta, edhe pse pa ne…