Mjeku gjerman dhe profesori i ekonomisë shëndetësore dhe epidemiologjisë në Universitetin e Këlnit Karl Lauterbach tha se ai “patjetër” do të pranonte ende vaksinën e AstraZeneca dhe se ai nuk mund ta imagjinojë që vaksina do të hiqet tërësisht nga tregu gjerman.

“Unë patjetër do të vaksinohesha me AstraZeneca”, tha ai. “Sepse edhe duke marrë parasysh incidentet që ne tani i dimë, përfitimi është më i madh se dëmi që mund të paraqitet statistikisht. Kjo është arsyeja pse unë do të isha ende gati për vaksinimin tani”.

Vendimi i Gjermanisë për të pezulluar përdorimin e vaksinës AstraZeneca pasoi një rekomandim nga Instituti Paul Ehrlich (PEI), autoriteti i vendit i ngarkuar me vaksinat, pas rasteve të regjistruara rishtaz, të një tromboze të venës së thellë shumë të rrallë, duke përfshirë tre vdekje.

Lauterbach tha se vendimi i institutit nuk ishte as i drejtë dhe as i gabuar.
“Por nuk do ta kisha marrë vendimin bazuar në të dhënat në dispozicion”, shtoi ai.

Vende të tjera si Mbretëria e Bashkuar kanë vazhduar të vaksinojnë bazuar në të njëjtat të dhëna, tha ai.

“Ky lloj i trobozës së venës cerebrale në kombinim me një fenomen të sindromës hemolitike-uremike është aq i rrallë, sa që ndoshta mund të gjurmohet që nga vaksinimi,” tha ai.

“Rastet shtesë janë të rendit të madhësisë që mund të prekin një në 250,000 – 350,000 njerëz,” tha Lauterbach. Eshtë një ndërlikim serioz, shtoi ai, “por zakonisht mund të merren masa kundër këtij ndërlikimi gjatë trajtimit.”

Krahasimi me rrezikun e trombozës kur merrni vaksinën nuk ishte plotësisht i lejueshëm, sepse ashpërsia e simptomave është krejtësisht e ndryshme, tha ai.

Ai nuk mund të imagjinonte që vaksina AstraZeneca të tërhiqej tërësisht. “Këto incidente të ndërlikimeve nuk janë të mjaftueshme [për të justifikuar] atë veprim,” tha Lauterbach për Deutschlandfunk. “Unë supozoj se ne mund të rikthejmë besimin në këtë vaksinë.”