
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha prezantoi sot në Kuvend projektligjin për “Përpunimin e informacionit të udhëtimit në Republikën e Shqipërisë”.
Sipas ministrit Hoxha miratimi i këtij projektligji është parakusht për nisjen e negociatave me BE-në.
“Një tjetër nismë e sjellë për miratimin tuaj sot në Kuvend është projektligji “Për përpunimin e informacionit të udhëtimit në Republikën e Shqipërisë”, një nismë në përmbushje të standardeve më të larta të sigurisë, mbrojtjes së të dhënave dhe për ta avancuar në rrugëtimin tonë drejt në BE. Ky projektligj përafron legjislacionin shqiptar me atë të BE-së në fushën e përpunimit të të dhënave të udhëtimit, më konkretisht të të dhënave paraprake të pasagjerit dhe të dhënave në regjistrimin e emrit të pasagjerit. Miratimi është parakusht për nisjen e negociatave me BE-në, për një marrëveshje ndërkombëtare me BE-në për shkëmbimin e të dhënave të cilat aktualisht nuk merren nga njësia e informacionit të pasagjerit, njësi që funksionon pranë Policisë së Shtetit për fluturimet në vendet e BE-së.
Ky është një boshllëk që duhet përmbushur me urgjencë për të përmbushur angazhimet tona si vend kandidat. Për të realizuar këto procedura pune, ka nevojë për personel 24/7 për të mbajtur nën kontroll gjithë lëvizjet e pasagjerëve gjatë fluturimit dhe për të siguruar të gjithë të dhënat nga kompanitë në mënyrë të vazhdueshme fluide, cilësore dhe të sakta. Për kryerjen e këtyre procese ka nevojë gjithashtu dhe për specialistë të analizës të cilët krijojnë rregulla dhe profile bazuar mbi informacionin policor”, tha Hoxha.
Hoxha përmendi edhe risitë që sjell nisma të cilat, sipas tij, janë të qarta dhe konkrete.