Prokuroria e Përgjithshme përmes një deklarate me shkrim, ka reaguar në lidhje me krimet zgjedhore, të kryera në periudhën para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 25 prillit. Deri më datë 08.06.2021, Prokuroria thotë se janë regjistruar procedim penal për 53 njoftime në total, nga të cilat, 7 prej tyre kanë përfunduar, 5 persona janë në hetim, një çështje i ka kaluar SPAK, një është pezulluar dhe dy procedime me dy të pandehur janë dërguar për gjykim.

Po ashtu, në deklaratë thuhet se: “Në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm janë në proces verifikimi paraprak 41 njoftime për veprat penale në fushën e zgjedhjeve. Janë transferuar për kompetencë lëndore SPAK-ut 23 njoftime dhe është vendosur mosfillimi i procedimit penal për 25 njoftime”.

Prokuroria sqaron më tej se, aktualisht po ndiqen penalisht 11 persona, janë arrestuar në flagrancë 5 persona dhe është kërkuar masa e sigurisë “arrest në burg” për 4 persona prej të cilave është pranuar kërkesa për 3 persona. Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se:

“Në vijim të masave administrative dhe procedurale të ndërmara nga Prokurori i Përgjithshëm për të garantuar funksionimin normal të prokurorisë në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe ligjore për periudhën para, gjatë dhe pas zgjedhore, prokuroria është angazhuar për hetimin e veprave penale në fushën e zgjedhjeve, në kompetencë lëndore të juridiksionit të përgjithshëm.

Nga raportimet e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm mbi veprat penale në fushën e zgjedhjeve për periudhën parazgjedhore e deri më datë 08.06.2021 rezulton se prokuroritë kanë regjistruar procedimin penal për 53 njoftime për vepra penale në lidhje me zgjedhjet. Nga çështjet e regjistruara kanë përfunduar 7 prej tyre me 5 persona në hetim, prej të cilave 3 procedime me 3 persona nën hetim janë transferuar në SPAK, 1 është pushuar, 1 është pezulluar dhe 2 procedime me 2 të pandehur janë dërguar për gjykim.

Në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm janë në proces verifikimi paraprak 41 njoftime për veprat penale në fushën e zgjedhjeve. Janë transferuar për kompetencë lëndore SPAK-ut 23 njoftime dhe është vendosur mosfillimi i procedimit penal për 25 njoftime për 16 vepra penale të ndryshme.

Aktualisht po ndiqen penalisht për veprat e mësipërme 11 persona, janë arrestuar në flagrancë 5 persona dhe është kërkuar masa e sigurisë “arrest në burg” për 4 persona prej të cilave është pranuar kërkesa për 3 persona’, thuhet në njoftimin e plotë të Prokurorisë së Përgjithshme.