Prokuroria e Përgjithshme ka reaguar ndaj deklarata të kryeministrit Rama sot paradite në grupin parlamentar të PS-së ku u mor vendimi për të votuar kundër arrestimit të deputetit Saimir Tahiri. Rama tha se prokuroria kishte ardhur me “fletë bakalli” për të kërkuar arrestimin e deputetit dhe madje ngriti disa pyetje retorike të cilat hedhin aludime se prokuroria po përdoret politikisht nga opozita. Në përgjigje Prokuroria deklaroi se Rama nuk mund ta intimidojë aktivitetin e saj hetimor.

“Prokuroria për Krime të Rënda rithekson qëndrimin e saj se deklaratat politike nuk e kanë intimiduar dhe nuk mund ta intimidojnë aktivitetin e saj hetimor. Prokuroria për Krime të Rënda e ka të qartë se, që në fillimet e këtij hetimi, do të përballej me goditje frontale politike, për shkak se person nën hetim është ish-ministri i Brendshëm dhe aktualisht deputet i Parlamentit të Shqipërisë. “Por, kjo nuk e pengoi aspak që t’i drejtohej Kuvendit të Shqipërisë me kërkesë për autorizimin për arrestimin e personit nën hetim.

Pasi, në vlerësimin e prokurorëve të çështjes, ekzistojnë kushtet dhe rrethanat ligjore, për të cilat është e nevojshme të merren masat që parashikon Kodi i Procedurës Penale për rastet e veprave të rënda, si ato të “Trafikut të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, si edhe “Korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë….”.” thuhet në deklaratën e prokurorisë së Krimeve të Rënda. Prokuroria e Krimeve të Rënda thotë se Rama mori rolin e gjykatësit kur dha vlerësimin e provave që ajo i dorëzoi në Komisionin e Mandateve për të kërkuar autorizimin e arrestimit të Tahirit. Rama i quajti “Fletë bakalli” dhe prokuroria reagon:

“Gjithçka çfarë u deklarua publikisht nga Kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama, paraditen e së Hënës (dt. 23.10.2017) shkon në të kundërt të asaj që është deklaruar për dy vite me radhë-Reformën në Sistemin e Drejtësisë. Në fjalën e tij, kryeministri, në cilësinë e Kryetarit të subjektit politik që ai drejton, shprehu opinionin dhe vlerësimin mbi provat e paraqitura në mënyrë sekrete nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda në Këshillin e Mandave dhe Imuniteteve në Parlamentin e Shqipërisë. Pra, në mënyrë publike, Kryeministri mori rolin e gjykatës, një atribut që nuk i takon as me Kushtetutë dhe as me ligj. Në vlerësimin tonë, ky qëndrim publik i Kryeministrit është sinjal i qartë që lufta kundër korrupsionit në nivele të larta, qëllimi i të cilës ishte edhe miratimi i Reformës në Drejtësi, do të kontrollohet nga politika. Ne Kroaci u arrestua kryeministri Prokuroria i referohet dhe rastit të Kroacisë ku hetimet çuan në dënimin e ish kryeministrit, Ivo Sanader . Në prill të 2017 sh-kryeministri i Kroacisë dhe ish-kryetari i HDZ-së, Ivo Sanader u dënua me katër vjet e gjysmë heqje lirie.

“Prokuroria për Krime të Rënda ka pasur kënaqësinë, disa kohë më parë, të dëgjojë përvojën e homologëve të saj në Kroaci, hetimet e të cilëve, të nisura për një orë dore, përfunduan me arrestimin e, më tej, me dënimin e ish-kryeministrit të atij vendi. Gjithashtu, përvoja të ngjashme të suksesshme ka pasur edhe në vende, si Rumania e të tjerë. Prokuroria për Krime të Rënda është e bindur se i gjithë faktori politik shqiptar, i mbështetur edhe nga partnerët më të rëndësishëm ndërkombëtarë, hartuan Reformën në Drejtësi, duke pasur si guidë të suksesshme përvojën kroate e rumune, të cilat i ndihmuan për t’u integruar në Bashkimin Europian.” Paralajmerimi i prokurorise Prokuroria paralajmeron se nese do te kete nderhyrje flagrante te politikes atehere reforma ne drejtesi nuk do te kete sukses

“Nëse hetimet e Prokurorisë do të shoqërohen me ndërhyrje flagrante të politikës, atëherë qëllimi i Reformës në Drejtësi për luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në nivele të larta, do të jetë një sfidë e cila nuk do të përballohet me sukses. Gjithësesi, Prokuroria për Krime të Rënda po vijon hetimet e saj, si për rastin konkret, ashtu edhe për çështje të tjera të krimit të organizuar dhe grupeve të strukturuara kriminale. Deklaratat politike dhe, sidomos presionet indirekte me procesin e Vetingut, nuk mund dhe nuk do të mund të cënojnë proceset hetimore.” Vetëm 30 minuta më pas erdhi reagimi i Kryeministrit Edi Rama i cili shprehu keqardhjen që Prokuroria e Krimeve të Rënda, është shprehur në media menjëherë pas fjalës së tij përpara grupit socialist, lidhur me kërkesën për hetim të deputetit Saimir Tahiri.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprak“T’FALEM SHQIPNI”
Artikulli tjetërRAMA “BRAKTIS” TAHIRIN, E PERJASHTON NGA GRUPI I PS