
Prokuroria: Tahiri 4 udhëtime jashtë shtetit me Artan Habilajn
Media ka zbardhur akuzat e prokurorisë në kërkesën për arrestimin e ish-ministrit Saimir Tahiri. Ish-ministri i Brendshëm akuzohet për trafik droge në bashkëpunim në grup të strukturuar kriminal dhe korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror. Nga hetimet e prokurorisë rezulton se në 2014 Saimir Tahiri ka dalë nga shteti katër herë së bashku me Artan Habilajn, të cilit i ka shitur makinën. Sipas prokurorisë, udhëtimet e Saimir Tahirit me Artan Habiljan janë realizuar në muajin gusht të vitit 2014. Ndërsa makinën që Tahiri i shiti në 2013 kushëririt të tij Artan Habilaj, ky i fundit ia ka shitur më pas vëllait të tij, Moisi Habilaj. Prokuroria akuzon se Moisi Habilaj ka përfituar nga lidhjet e ngushta me Tahirin kundrejt shpërblimeve, ndërsa ish-ministri dyshohet se ka siguruar paprekshmërinë e grupit kriminal, që vepronte në trafikun e drogës Shqipëri-Itali. Prokuroria shqiptare në akuzat ndaj Tahirit ka përdorur përgjimet e kryera në Itali për grupin kriminal që drejtohej nga Moisi Habilaj.






