Pas kryebashkiakëve të Shkodrës dhe të Vorës, Prokuroria e Përgjithshme i kërkon KQZ-së që t’i heqë mandatin edhe një këshilltari.

Bëhet fjalë për këshilltarin socialist të Kamzës, Mirush Dema. Nga verifikimet e sektorit të Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme ka rezultuar se Dema ka fshehur dy dënime në Zvicër.

Në vitin 2014 këshilltari aktual socialist në Kamëz i ka ofruar për t’i shitur 4 qese heroinë një polici, i cili ishte i infiltruar. Kurthin ai e kuptoi në fund, por për këtë ngjarje është dënuar. Megjithatë dënimi iu konvertua në gjobë.

Këshilltari socialist rezulton se ka ndryshuar mbiemrin pas martese, nga Troci në Dema, por nuk i ka shpëtuar të kaluarës edhe pse në momentin e plotësimit të formularit të vetëdeklarimit deklaroi vetëm një ndalim për verifikim në Gjenevë dhe dëbim në Suedi duke fshehur dënimin për heroinë dhe dhunim banese.

Ditën e mërkurë KQZ do të mblidhet për të shqyrtuar gjetjet e KQZ-së për këshilltarin socialist Mirush Osman Dema (Troci).