
Promovimi i trashëgimisë kulturore dhe forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar janë vënë në fokus gjatë një vizite të një delegacioni italian në qytetin e Lezhës.Takimi u zhvillua në kuadër të projektit “TSiTOKES – Tempus, Spiritus i Tokës”, një iniciativë që synon të krijojë ura komunikimi mes komuniteteve dhe të sjellë më pranë kulturat e dy vendeve.Përmes këtij projekti, Lezha synon të prezantojë më gjerësisht vlerat e saj historike dhe kulturore, duke i kthyer ato në një pikë referimi për bashkëpunime të reja me partnerë evropianë, veçanërisht me Italinë.Përfaqësues të institucioneve vendore theksuan se nisma të tilla jo vetëm rrisin vizibilitetin e qytetit në arenën ndërkombëtare, por krijojnë edhe mundësi konkrete për projekte të përbashkëta në të ardhmen.
Vizita e delegacionit italian shihet si një hap konkret drejt zgjerimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, duke nxitur shkëmbimin e eksperiencave dhe zhvillimin e iniciativave që ndikojnë drejtpërdrejt në komunitet. Autoritetet lokale nënvizojnë se përfshirja në projekte ndërkombëtare mbetet një ndër prioritetet kryesore për zhvillimin ekonomik, kulturor dhe integrimin evropian të zonës.






