729 dosje të trajtuara nga agjencia e kthimit dhe kompensimit të pronave kanë status ezaurimi që do të thotë se tashmë me ligjin e ri të hyrë në fuqi në 2015-ën nuk përfitojnë as kompensim financiar dhe as fizik të kthimit të tokës.

Ata që preken në këto 729 dosje u ka mbetur vetëm një javë për ta kundërshtuar në gjykatën e apelit administrativ në Tiranë ose në të kundërt nuk përfitojnë asgjë. Këtë e shpjegon pedagogu në fakultetin ekonomik Peter Saraçi sipas të cilit për vendimet e viteve 1994-1995 për Shkodrën janë 45 raste të tilla.

Nga 6900 dosje të rivlerësuara nga agjencia e trajtimit të pronave sipas ligjit të 2015-ës pronarët humbin shumë sepse në vendimet që kanë kthim apo kompensim të tokës truall pjesa më e madhe pas rivlerësimit është lënë tokë bujqësore që do të thotë përfitimi është shumë më i vogël.

Neni për rivlerësimin u aplikua vitin e kaluar për herë të parë me vendimet e agjencisë të trajtimit të pronave për vitet 1993-1994 dhe tashmë këtë vit vijon me 1994-1995 dhe do vazhdojë për çdo vit. Në rast se kjo nuk kundërshtohet brenda 30 ditëve atëherë pronarët s’kanë të drejtë taë hapin gjyq as në Shqipëri por as në gjykatat ndërkombëtare.