Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar për herë të parë për arrestimin e kryebashkiakut të djathtë të Lezhës, Fran Frrokaj.

Basha uron që Frrokaj të jetë i pafajshëm, por shton se qëndrimi i PD është që para ligjit të gjithë janë të barabartë. Lideri demokrat kërkon që gjyqi ndaj Fran Frrokajt të mos jetë politik.

Ne shpresojmë që Fran Frrokaj të jetë i pafajshëm. Qëndrimi i im dhe i PD është që të gjithë të jenë të barabartë para ligjit. Ne kërkojmë që hetimi të jetë transparent, jo politik dhe i paanshëm. Shqiptarët meritojnë një drejtësi të pastër dhe jo të kapur nga axhenda politike, të drejtuar nga njëri krah politik kundër tjetrit” deklaroi Basha në një deklaratë nga selia e PD.

Kryebashkiaku Frrokaj së bashku me 11 persona të tjerë u arrestuan dje, ndërsa 11 janë në kërkim me akuzën e tjetërsimit të pronave përmes falsifikimit në zonën e Shëngjinit në Lezhë.