Kur emergjenca shëndetësore vlonte globalisht për shkak të pandemisë, kishte diçka për të cilën shqiptarët nuk e ulën vigjilencën. Prona! Dhoma Kombëtare e Noterisë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës raportojnë se aplikimet për të legalizuar, për të regjistruar apo për të përfunduar një procedurë të nisur për pronën, mbajti të njëjtin ritëm si para pandemisë. Rritje të dukshme kanë shënuar edhe kontratat e dhurimit që në harkun e 12 muajve janë mbi 19 mijë, kurse testamentet ruajnë një ecuri konstante nga viti në vit me mbi 5 mijë akte të tilla të regjistruara në harkun kohor 15 korrik 2020 – 15 korrik 2021. Nën pasigurinë që mbolli pandemia e COVID-19, shumica e njerëzve si fillim vrapoi në raftet e dyqaneve, më pas te farmacitë për të vazhduar te tregu i zi, duke siguruar oksigjen, ilaçe apo antiviralë. Të gjitha këto ishin pjesë e një cikli që përshkallëzohej muaj pas muaji, sipas formës që po merrte pandemia e cila po gjunjëzonte globin. Por teksa beteja e parë ishte ajo e sigurimit të gjërave elementare në një kohë “lufte” me të panjohurën, e dyta lidhej me aspekte më të rëndësishme. Pasiguria nxiti nevojën për të mbyllur ato punë të lëna në mes, procedura të pafinalizuara zyrave të shtetit ku e kishe të vështirë të gjeje administratën. Duke mos e ditur se çfarë drejtimi do të merrte situata, njerëzit kërkuan të siguronin me aq sa mundnin atë që u takonte. Ndjeshmëria u rrit sidomos për pronën. Vetëm pak kohë më parë, kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame, theksoi se pikërisht këtë tendencë dhe dyndje kishin zyrat e ASHK. Përpos sigurimit të dokumenteve të tokës, të shtëpisë, dyqanit, bujtinës, shumë prej njerëzve zgjodhën të çojnë më tej dëshirën për siguri. Heqja e taksës për dhurimin e pronës brenda familjes nga prindërit te fëmijët për herë të parë apo anasjelltas, si dhe dëshira për të qenë i qetë dhe i sigurt me “punët e shtetit” në një pandemi që s’dihej si do të merrte, rriti në mënyrë të dukshme kontratat e dhurimit.