
Harta e protestave kundër ndërtimit të resortit luksoz në Zvërnec, është hapur deri në Shkodër. Pas protestave në Tiranë dhe qytete të tjera, tubime janë zhvilluar edhe në ne Shkoder. Qindra qytetarë janë mbledhur në qendër të qytetit për të shprehur kundërshtimin ndaj projektit dhe për të ngritur zërin kundër korrupsionit.
Të rinj, të moshuar dhe fëmijë u mblodhën pranë Kishës së Madhe në Gjuhadol, për të nisur më pas marshimin drejt Bashkisë së Shkodrës. Me mesazhe si “Korrupsioni na vjedh të ardhmen” dhe “Dilni zot tokës suaj”, protesta ishte një thirrje për mbrojtjen e pasurive publike dhe interesit qytetar. Protesta në Shkodër konfirmon se lëvizja e nisur për Zvërnecin po shtrihet përtej jugut të vendit dhe po merr përmasa kombëtare.
Ajo që nisi si kundërshtim ndaj një projekti të caktuar, po kthehet gjithnjë e më shumë në një shprehje të pakënaqësisë qytetare ndaj korrupsionit, mënyrës së qeverisjes dhe vendimmarrjes mbi pasuritë publike.


