
Dy banorë të fshatit Baks-Rrjoll u arrestuan, shtatë po hetohen në gjendje të lirë dhe 15 të tjerë janë shpallur në kërkim nga Policia e Velipojës, pas protestës së fortë të së shtunës në Rrjoll të Velipojës, ku banorë kundërshtuan ndërtimin e resortit dhe thyen makineri të kantierit, u përplasën me punonjës sigurie dhe lanë të plagosur një prej tyre.Të revoltuar, ata pretendojnë se po u grabit pronat për të ndërtuar resortin e tij.
Në pranga ranë personat me inicialet N.M., 51 vjeç, dhe T.Sh., 45 vjeç, banues në Baks-Rrjoll.
Ata akuzohen për “Shkatërrim prone”, “Kundërshtim të punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “Plagosje të rëndë me dashje”. Sipas policisë, gjatë protestës “janë goditur punonjës të kompanisë private të sigurisë që ruante kantierin dhe janë dëmtuar rëndë disa makineri të subjektit që po ndërton kompleksin turistik”.
Shtatë persona të tjerë po hetohen në gjendje të lirë për “Shkatërrim prone” dhe “Kundërshtim të punonjësit”, ndërsa 15 janë shpallur në kërkim për të njëjtat vepra penale. Policia thote se hetimi po vijon.






