Tetë protestues janë liruar nga policia mbrëmjen e sotme, ndërsa gjashtë tjerë do të vijojnë që të qëndrojnë brenda.

Ata u shoqëruan paraditen e sotme pas incidenteve në tubimin e opozitës para parlamentit. Mes personave të shoqëruar është edhe banori i Unazës së Re Dorjan Protoduari.

Rreth orës 17:30 të mbrëmjes së sotme, grupi i banorëve të Unazës së Re që protestojnë kundër projektit të drejtuar nga Klevis Balliu i Partisë Demokratike marshuan drejt policisë së Tiranës, pikërisht për të kërkuar lirimin e Dorjan Protoduarit, por edhe personave të tjerë që u shoqëruan.

“Këta djem janë për t’u dekoruar. Bravo u qoftë! Këta heronj protestojnë për zgjedhje të lira. Do apo nuk do ky palaço të hapë veshët, protesta do të vazhdojë” tha Balliu.

Pas mbërritjes te Drejtoria e Policisë së Tiranës me protestuesit u bashkuan edhe sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi, si dhe ish-deputetët e Partisë Demokratike Albana Vokshi, Endri Hasa, Gent Strazimiri e Andon Frrokaj.

Ata qëndruan deri rreth orës 21:00, kur u liruan 8 nga 14 persona që shoqëruar, por jo Dorjan Protoduari, i cili është një personazh i njohur për policinë, pasi është ndaluar edhe herë të tjera pas incidenteve te Unaza e Re.

Kjo ishte protesta e dytë brenda ditës e opozitës te drejtoria e policisë së Tiranës. E ndërsa fillimisht e nisën protestën para parlamentit rreth orës 09:30 të ditës së sotme,

më pas tubimi u zhvendos përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës ku liderët opozitarë negociuan me drejtuesit e saj për lirimin e protestuesve të shoqëruar nga policia, për t’u mbyllur më pas protestën përpara selisë së Partisë Demokratike.

Njoftimi i plotë i policisë së Tiranës
29 të proceduar për aktet e dhunës në protestën e sotme
Policia e Tiranës nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë ka arrestuar 6 shtetas, për veprime të dhunshme mbi institucionet Kushtetuese,

mbi Policinë dhe për shkatërrimin e pronës gjatë zhvillimit të protestës së opozitës nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, ditën e sotme para parlamentit.

Veprimet proceduriale janë kryer në bazë të një analize të pamjeve filmike, raport shërbimeve, si dhe provave të tjera të mbledhura nga grupi hetimor.
Janë proceduar në gjendje të lirë dhe 17 persona të tjerë, ndërsa 6 shtetas janë shpallur në kërkim.

Është proceduar penalisht gjithashtu shtetasi G.B., organizator i protestës.
Janë arrestuar për konsumimin e elementëve të veprave penale

“Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Prishja e qetësisë publike” shtetasit:

– J.Gj., 24 vjeç, nga Shijaku;- M.D., 24 vjeç, nga Mamurrasi;- A.K., 20 vjeç, nga Rrësheni;- B.D., 36 vjeç, nga Kavaja;- E.M., 26 vjeç, nga Kavaja;- D.P., 31 vjeç, nga Tirana.

Po punohet për identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë që kanë kryer veprime të dhunshme gjatë protestës së djeshme.

Materialet proceduriale do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakDIGJET ‘BENZ’-I NË LEZHË, DYSHOHET SE U PËRDOR PËR GRABITJE
Artikulli tjetërSTAR TREND – 21.03.2019