Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, ka zhvilluar ditën e sotme një vizitë në ambientet e Universitetin Politeknik të Tiranës dhe Universitetin e Arteve. Gjatë kësaj vizite, Kushi ka përsëritur apelin para studentëve për t’u vaksinuar dhe rëndësinë e këtij procesi për mbarëvatjen e jetës akademike dhe mbrojtjen e shëndetit të gjithsecilit.

Gjithashtu ajo ka nënvizuar tek studentët se vaksinimi nuk shërben thjesht për të hyrë në auditore, por për të mbrojtur shëndetin e tyre, të familjarëve dhe komunitetit.

“Ju jeni të rinj, bëni jetë sociale, hyni në kinema, bare etj. Prandaj, vaksinimi ju duhet. Madje, edhe për udhëtim jashtë vendit, certifikata e vaksinimit është e nevojshme. Shumë suksese të gjithëve në këtë vit akademik!”, tha ministrja Kushi.

Ndërsa cilëson se viti i kaluar akademik me mësimin “online” ishte shumë i vështirë, ministrja e Arsimit shprehet se është e rëndësishme që mësimi në auditore të kthehet në normalitet.

“Nëse ne jemi të gjithë të ndërgjegjësuar e të vaksinuar, patjetër që ky vit akademik do të shkojë sa më mbarë”, tha ajo.

Ndër të tjera, gjatë bisedës me studentët, Ministrja Kushi nënvizon: “Ne që jemi të shëndetshëm, e kemi dyfish më të madh detyrimin për t’u vaksinuar që të mbrojmë edhe ata që janë më të rrezikuarit. Dhe në këtë rast, më të rrezikuarit janë pedagogët tuaj, stafi akademik dhe prindërit që keni në shtëpi”, duke thënë se mbi të gjitha vaksinimi është një detyrë qytetare e secilit: “Dua që të jemi të gjithë bashkë në këtë betejë. Dhe për sa kohë virusin e kemi akoma mes nesh, duhet ta kuptojmë që secili të bëjë detyrën e tij. Kjo është edhe një detyrë qytetare. Nëse secili bën detyrën e tij, të gjithë bashkë jemi më të mbrojtur dhe do të garantojmë një vit të mbarë akademik”, ka thënë më tej Kushi.