Iranianët kanë protestuar për të shtatëmbëdhjetën ditë me radhë, protesta anti-qeveritare që u nxitën nga vdekja e një gruaje të re në kohën sa ishte në paraburgim. Ndërkaq, presidenti iranian, Ebrahim Raisi, ka bërë thirrje për unitet.

Universitetet dhe shkollat e mesme iu bashkuan protestave, duke i zgjeruar demonstratat që po mbahen pas vdekjes së Mahsa Amini, 22 vjeçe, e cila vdiq teksa ishte në paraburgim nën dyshimet se kishte shkelur rregullat e hixhabit, apo shamisë së kokës.

Videot e postuara në rrjetet sociale shfaqën protestat në Teheran, Karaxh, Shiraz dhe Isfahan, teksa pjesëmarrësit brohorisnin slogane, sikurse “Vdekje për diktatorin”.

Gjatë një seance parlamentare, presidenti iranian, Ebrahim Raisi, pranoi “dobësitë dhe dështimet” e shtetit, por në të njëjtën kohë përsëriti deklaratat e zyrtarëve të tjerë, përfshirë edhe ato të liderit suprem, Ajatollah Ali Khamenei, duke fajësuar armiqtë e Iranit për trazirat.
Madhësia e trazirave në Iran ka qenë e vështirë të verifikohet, pasi Qeveria ka bllokuar qasjen në rrjetet sociale dhe internet. Dëshmitarët kanë raportuar se ka tubime spontane në mbarë vendin, përfshirë edhe protesta të vogla, me qytetarët që po protestojnë edhe në katet më të larta të ndërtesave, dhe gratë po prenë flokët e tyre dhe po djegin shamitë.

Në Teheran, lagjet Tehranpars dhe Ekbatan, kanë qenë qendra e protestave, teksa të shtënat me armë po ashtu janë dëgjuar në sfond.

Studentët e mjekësisë në Universitetin e Gilanit, më 4 tetor protestuan për të kundërshtuar përdorimin e ambulancave nga forcat e sigurisë që po shtypin protestat.

Videot e publikuara më 4 tetor po ashtu shfaqën dyqanet e mbyllura në rrugën Talagani në qendër të Isfahanit. Mbyllja e dyqaneve ishte pjesë e një greve.

Ka raportime se mësuesit në Sagez, vendlindjen e Mahsa Aminit, kanë hyrë në grevë, ndërkaq nxënësit po protestojnë në rrugë.
Vdekja e Aminit më 16 shtator shkaktoi një valë të madhe zemërimi mbi rregullat që autoritetet aplikojnë ndaj grave, sa i përket bartjes së detyrueshme të hixhabit. Gratë në Iran thonë se kjo masë thekson mungesën e të drejtave të tyre në Republikën Islamike.

Zyrtarët thanë se Amini vdiq nga një sulm në zemër. Por, familjarët e saj dhe shumë iranianë të tjerë thonë se dëshmitarët kanë treguar se ajo është rrahur teksa është arrestuar nga autoritetet.

Qindra persona, përfshirë artistë, aktivistë dhe gazetarë, janë arrestuar qëkur kanë shpërthyer protestat./REL

Artikulli paraprakPROVA NUKLEARE? PUTIN DËRGON TRENIN USHTARAK DREJT KUFIRIT ME UKRAINËN, RRITET FRIKA PËR PËRDORIMIN E ARMËVE BËRTHAMORE
Artikulli tjetërNDAHET NGA JETA NË MOSHË 90-VJEÇARE IKONA E MUZIKËS COUTRY, LORETTA LYNN