Në mbyllje të protestës, partitë opozitare reaguan me një deklaratë të përbashkët, duke akuzuar veprimet e qeverisë dhe të policisë.

Lëvizja VETËVENDOSJE!, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA për Kosovën deklaruan se protestat do të vazhdojnë. “Protesta e thirrur nga Opozita e Bashkuar, u bë një protestë gjithëqytetare. Pjesëmarrja e qytetarëve ishte masive si kurrë më parë. Opozita falenderon dhe shprehë mirënjohje për të gjithë qytetarët, anëtarët e simpatizantët e subjekteve opozitare për pjesëmarrjen e tyre në këtë protestë. Para disa ditësh Isa Mustafa tha se do ta zbatojë “Zajednicën”, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Më tej, aty theksohet se policia që prej orëve të para të ditës së shtunë në disa raste ka provokuar protestuesit duke ndalur shumë autobusë e duke i penguar qytetarët të vijnë në Prishtinë. “Në përmbyllje të protestës, shumë qytetarë kanë reaguar spontanisht, duke protestuar me vendosmëri ndaj ndërtesave qeveritare. Mllefi i qytetarëve që po shprehet në përballje me policinë është rezultat i insistimit të Isa Mustafës për të ruajtur Zajednicën dhe pushtetin e vet personal. Ne shprehim keqardhje për çdo incident, por nënvizojmë se shkaktari kryesor edhe i këtyre incidenteve është mosreflektimi i qeverisë përballë reagimit kaq të fuqishëm qytetar”, shprehet opozita. Sipas tre partive, qeveria duhet ta dijë se pas gjithë zullumeve të saj, duke përfshirë edhe shkeljen e vetë Kushtetutës, është vështirë që qytetarët do të mbeten të qetë. Askush dhe asgjë nuk mund ta zbehë mesazhin që dhanë qytetarët e Kosovës me pjesëmarrjen e tyre masive në protestën e madhështore e paqësore kundër “Zajednicës”, demarkacionit dhe qeverisë antikushtetuese. Protestat vazhdojnë!”, mbyllet deklarata.