Kompania “TETE Albania Tunnel and Mining” sh.a., që operon në minierën e bakrit në Spaç të Mirditës, ka reaguar pas tensioneve të krijuara nga protesta e minatorëve dhe akuzave të ngritura nga Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë. Në një deklaratë për mediat, kompania sqaron se greva e zhvilluar ditët e fundit ishte e paligjshme, pasi nuk janë respektuar procedurat ligjore për njoftim dhe dialog social.
Sipas TETE Albania, kërkesa e Konfederatës për fillimin e bisedimeve mbi Kontratën Kolektive të Punës, e paraqitur më 18 shtator 2025, nuk përmbante dokumentacionin e plotë të kërkuar nga Kodi i Punës.
“Për shkak të kësaj mungese, shoqëria nuk ishte në gjendje të verifikonte nëse Konfederata kishte në anëtarësinë e saj punëmarrës të TETE Albania-s. Ky verifikim është detyrim ligjor në mbrojtje të të drejtave të punëmarrësve,” thuhet në deklaratë.
Ftesë për bashkëpunim dhe refuzim nga Konfederata
Io
Kompania thekson se, pavarësisht mangësive, më 7 tetor 2025 i është drejtuar zyrtarisht Konfederatës për plotësimin e dokumenteve të nevojshme dhe nisjen e një dialogu institucional.
“Derimë sot, Konfederata ka refuzuar hapur të paraqesë çdo provë që vërteton pjesëmarrjen në anëtarësinë e saj të punëmarrësve të shoqërisë TETE Albania,” nënvizon kompania.
Reagim për pretendimet mbi shkarkimin e punonjësit Bushpreni
Në lidhje me pretendimet se një punonjës, z. Albert Bushpreni, është larguar për shkak të aktivitetit sindikal, TETE Albania i cilëson këto akuza si të pabazuara.
“Z. Bushpreni është shkarkuar pasi ka shkelur procedurat e raportimit të një incidenti në punë dhe ka penguar hetimet e brendshme mbi shkaqet e aksidentit. Këto shkelje përbëjnë rrezik serioz për sigurinë në punë,” thuhet në reagimin e kompanisë.
“Greva pa bazë ligjore dhe pa objekt të qartë”
Në deklaratën e saj, kompania thekson se greva e zhvilluar në datat 8–10 tetor 2025 është organizuar pa njoftim paraprak dhe pa ndjekur procedurat e parashikuara në nenet 197 e vijues të Kodit të Punës.
“Përveç shkeljes së hapur të ligjit, Konfederata nuk ka përcjellë asnjë kërkesë konkrete të punëmarrësve. Grevat janë zhvilluar pa objekt të qartë, duke e bërë të pamundur për shoqërinë të kuptojë kushtet apo kërkesat e pretenduara,” sqaron TETE Albania.
Kompania: Të respektohet ligji, jemi të hapur për dialog
Në përfundim, TETE Albania thekson se ka qenë gjithmonë në mbështetje të punonjësve të saj dhe kërkon respektimin e plotë të ligjit dhe procedurave institucionale.
“Shoqëria mbetet e gatshme për dialog konstruktiv dhe social, sapo të paraqitet dokumentacioni i plotë ligjor dhe të respektohen procedurat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi,” përfundon deklarata e kompanisë.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakDONALD TRUMP MBYLL VIZITËN NË LINDJEN E MESME DHE NISET DREJT UASHINGTONIT
Artikulli tjetërPARASHIKIMI I MOTIT PËR KËTË TË MARTË