Një grup prindërish dhe nxënësish të fshatrave Golem dhe Grudë të njësisë Rrethina në Shkodër protestuan pasi që prej datës 1 tetor fëmijët e tyre nuk shkojnë në shkollën e Hotit të Ri “Dedë Gjo Luli” duke pretenduar se kanë mbetur pa transport.Protetsuesit kërkojnë që të rivendoset transporti ose në të kundërt do vijojnë që fëmijët t’i lënë në shtëpi pa shkuar në shkollë.

Rastësisht banorët u takuan me kryetarin e bashkisë Shkodër Bardh Spahia i cili kishte një takim në njësinë Rrethina duke i thënë protestuesve se çështja e transportit për nxënësit nuk është më një çështje e bashkive por sidoqoftë do ta diskutojë shqetësimin e tyre me Zyrën Vendore Arsimore të Shkodrës.

Ndërkohë Zyra Vendore Arsimore në një komunikim sqaroi se banorët e fshatrave Golem dhe Grudë kanë shkollat përkatëse në fshatin Golem dhe Grudë duke mos patur nevojë për transport pasi mund t’i dërgojnë fëmijët e tyre aty. Në rastet kur prindërit dëshirojnë një shkollë tjetër për fëmijët e tyre dhe jo atë që kanë më afër atëherë do të duhet që të mendojnë edhe për transportin ose në të kundërt të zgjedhin shkollën që kanë afër.

Megjithatë deri në fund të dhjetorit fëmijët e Golemit dhe Grudës do vijojnë që të shkojnë në shkollën e Hotit të Ri për shkak se janë në fuqi kontratat e transportit por në janar e mbrapa këta 60 nxënës do të duhet që të mësojnë në shkollat që kanë më afër dhe jo më ku ndodhen aktualisht.