Drafti i propozuar nga Partia Socialiste për reformën e re administrativo-territoriale është kundërshtuar edhe në Fushë Arrëz. Banorë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe drejtues vendorë u mblodhën në protestë kundër propozimit për bashkimin e Bashkisë Fushë Arrëz me atë të Pukës, duke e konsideruar këtë nismë si një cenim të identitetit, dinjitetit dhe interesave të komunitetit.Protestës iu bashkuan edhe bashkëkryetari i Reformës Administrativo-Territoriale nga opozita, Luçiano Boçi, si dhe deputeti Gjin Gjoni. Nga tubimi, kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Hilë Curri, e cilësoi të papranueshëm draftin dhe shpalli të padëshiruar në këtë qytet një prej hartuesve të tij, Arbian Maznikun.

Kundër bashkimit me Pukën u shprehën edhe drejtues të tjerë vendorë. Në mbështetje të banorëve të Fushë Arrëzit ishte kryebashkiaku i Mirditës, Albert Melyshi, dhe ai i Pukës, Rrok Dodaj. Mes protestuesve ishte edhe ish-kandidati i Partisë Socialiste për deputet në këtë zonë dhe ish-kreu i Përgjithshëm i Rezervave të Shtetit, Pavlin Luli. Ai iu bashkua kundërshtimit të banorëve, ndërsa gjatë fjalës së tij nuk munguan kritikat ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Përfaqësues të shoqërisë civile dhe banorë të Fushë Arrëzit kërkuan që përpara çdo vendimmarrjeje të dëgjohet zëri i komunitetit dhe të merret në konsideratë vullneti i banorëve. Në përfundim të protestës, banorët njoftuan nisjen e mbledhjes së firmave për një peticion kundër draftit të propozuar, ndërsa paralajmëruan edhe përshkallëzim e reagimit nëse kërkesat e tyre nuk merren në konsideratë. Sipas të dhënave të Censusit, Bashkia Fushë Arrëz ka rreth 4 mijë e 878 banorë, ndërsa Bashkia Pukë rreth 6 mijë e 222 banorë. Drafti i propozuar parashikon bashkimin e tyre në një njësi të vetme administrative, një propozim që ka hasur kundërshtimin e banorëve të Fushë Arrëzit.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakHITA: SIGURIA RRUGORE NË FOKUS, MBI 1 MIJË MASA PËR TEJKALIM SHPEJTËSIE GJATË NJË JAVE
Artikulli tjetër“PËRDORIN 83 MANDATET PËR TË MBROJTUR KRIMIN” – BERISHA AKUZA TË FORTA: RAMA DHE BALLUKU JANË HAJDUTËT MË TË MËDHENJ, QEVERIA KA HUMBUR LEGJITIMITETIN!