Provimi i shtetit, 3 mësues e 12 mjekë humbasin të drejtën e profesionit

Ky është viti i gjashtë që mjekët, farmacistët dhe mësuesit zhvillojnë provimin e shtetit, me qëllim pajisjen me licencën e profesionit. Por ky është gjithashtu viti që regjistron edhe humbësit e parë. Bëhet fjalë për ata që, pasi kanë ngelur në 5 provimet e mëparshme, përfundimisht nuk e kanë më të drejtën për të ushtruar profesionin, pavarësisht diplomës. “Në fushën e Mësuesisë janë 3 kandidatë që e kanë humbur këtë mundësi, ndërsa në fushën e Mjekësisë janë 12”, tha Rezana Vrapi, drejtore e Agjencisë Kombëtarë të Provimeve. Sipas të dhënave nga AKP-ja, sivjet janë 549 mësues dhe 837 mjekë mbetës, që do të ritestohen në këtë sesion. “Në të ardhmen do të shtohen profesionet e rregulluara me ligj, që të kemi kandidatë sa më cilësorë të cilët do të dalin në tregun e punës”, tha më tej Rezana Vrapi. Provimi i shtetit zhvillohet dy herë në vit. Në korrik ishin 1.697 persona që u testuan, ndërsa në dhjetor 2.000. Sa i takon kalueshmërisë, Infermieria shkon në 59%, Farmacia 60%, Mësuesia 67%, ndërsa Mjekësia e Përgjithshme dhe Teknik Laboratori 83%.