
Partia Socialiste ka bërë një ankesë drejtuar KQZ për proceset e votës së diasporës. Partia Socialiste i ka kërkuar marrjen e masave KQZ-së, përmes një ankese ku evidenton problematika të hasura gjatë procesit të votimit të diasporës.
“Mosrespektimi i protokolleve të njoftimit nga DHL përmes emailit dhe SMS-ve, sidomos në Greqi dhe Itali. Vështirësi në komunikim me DHL, ku kontaktet nuk përgjigjen ose shfaqen si “call failed”. Refuzim i marrjes së zarfeve të kthimit nga DHL, sidomos në Greqi, dhe raste kur qytetarëve u kërkohet ta dorëzojnë fizikisht në pikën postare. Kërkesa për pagesë për kthimin e zarfeve nga ana e DHL. Fletë votimi mungojnë në zarf, me raste konkrete në SHBA, Itali, Angli dhe Greqi.
Shpërndarje e pabarabartë e zarfeve brenda të njëjtës familje. Mesazhe për adresë të pasaktë, pavarësisht konfirmimit të saj nga zgjedhësit. Dërgesa pa paralajmërim nga korrierët, që rezulton në kthimin e zarfeve pa dijeni të votuesve. Mosnjohje e bar kodeve nga DHL në disa raste, sidomos në Brescia, Itali”, thuhet në letrën e PS drejtuar KQZ.