Menjëherë pas emërimit si koordinator i PS për qarkun Shkodër Ditmir Bushati ka zhvilluar takimin e parë në selinë e partisë socialiste të Shkodrës.

Ka qenë fillimisht një takim ku të pranishëm ishin përveç pjesës të shtabit edhe drejtorët që PS ka në qarkun Shkodër. Ky takim është zhvilluar në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare të 2017-ës. Në dalje Bushati tha se është në Shkodër si koordinator i PS dhe jo si kandidati i parë në listën për deputet për zgjedhjet e ardhshme. I pyetur edhe si ministër i jashtëm për kërkesën e grekëve për varrezat e tyre në Shqipëri dhe çështjen çame, Bushati nuk dha një përgjigje për asnjërën prej tyre duke anashkaluar dy prej temave që lidhen drejtpërdrejtë me politikën e jashtme të Shqipërisë. Në selinë e PS-së së Shkodrës në praninë e koordinatorit Bushati janë zhvilluar dy mbledhje. Pas takimit të parë me strukturat dhe drejtorët është zhvilluar edhe një tjetër mbledhje kësaj here vetëm me drejtorët e PS për të folur për organizimin dhe zgjidhjen e problemeve që janë përpara zgjedhjeve parlamentare. Ditmir Bushati u vendos nga kryeministri Rama si koordinator për qarkun Shkodër në një mbledhje në Gjirokastër ku të pranishëm ishin edhe 61 kryetarët që PS ka në të gjithë Shqipërinë për t’u bërë gati për fushatën elektorale.