Procesi i Partisë Socialiste për zgjedhjen e 61 kryetarëve të PS në gjitha bashkitë e vendit nisi nga Shkodra. Sekretari organizativ i PS Blendi Klosi zhvilloi një takim me asamblenë e PS Shkodër ndërsa të pranishëm ishin edhe kryetarja e parlamentit Lindita Nikolla, sekretarja për burimet njerëzore në PS Anila Denaj, deputeti Etjan Xhafaj, drejtuesja politike e PS Shkodër Edona Bilali dhe përfaqësues të tjerë.
Pas kësaj mbledhje Blendi Klosi bëri të ditur se procesi për përzgjedhjen e kryetarëve të PS në 61 bashkitë do të përfundojë në fund të muajit qershor dhe deri atëherë pas përzgjedhjes së kandidatëve do të ketë një fushatë të hapur dhe publike dhe më pas do jenë asambleja dhe një komitet drejtues nga qendra që do përzgjedhin fituesit, pra nuk do të ketë një votim nga antarësia.
I vetmi kriter që përjashton kandidatët është nëse nuk plotëson dekriminalizimin. Ky proces tha Klosi bëhet që PS të shpallet fituese edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale që do jenë pas një viti.
I pyetur se a është diskriminuar Shkodra nga largimi i 6 drejtorive në Lezhë gjatë qeverisjes së majtë, Klosi tha se qeveria ka dhënë mbështetje për Shkodrën përmes investimeve.
Pas Shkodrës takimi i radhës i drejtuesve të lartë të PS ishte në Lezhë dhe kështu do vijojnë në 61 bashkitë e vendit deri në fund të qershorit kur do të kemi edhe kryetarët e rinj të PS.