Partia e Socialiste për Bashkinë Shkodër është vënë në lëvizje për një riorganizim të ri. Edhe pse ende nuk është thënë publikisht nga kreu I PS Edi Rama njëkohësh edhe kryeministër i Shqipërisë, shumë shpejt pritet që brenda të majtëve të nisë gara për të zgjedhur kryetarin e ri të partisë. Socialistët e Shkodrës në bazë të sinjaleve nga qendra duhet që brenda datës 20 shtator të kenë përfunduar procesin e zgjedhjeve

. Në fakt një gjë e tillë është thënë nga deputeti i PS Namik Kopliku gjatë mbledhjes që u zhvillua para pak kohëve për të dëgjuar shkaqet që sollën humbjen e të majtëve për Bashkinë Shkodër në zgjedhjet e 21 qershorit. Burime brenda selisë rozë të Shkodrës bëjnë me dije edhe kandidaturat më të mundshme që pritet të jenë në garë. Kështu një prej emrave që po diskutohet në radhët e socialistëve është emri i Keti Bazhdarit. Ish-kandidatja e koalicionit të majtë që humbi me 21 qershor përballë Voltana Ademit të PD, garën për Bashkinë Shkodër. Më parë Bazhdari ka mbajtur për një vit e 4 muaj postin e kryetarit të PS teksa ka udhëhequr nga dhjetori i 2010-ës kur u mblodh asokohe asambleja e PS e deri në marsin e 2012-ës kur dha dorëheqjen pas humbjes së ish-kandidatit të PS Genc Uruçi përballë Lorenc Lukës. Nga 98 organizata që kishte PS u shtuan dhe u bënë 170, diferencë e cila i dha fitoren Bazhdarit. Si një prej të besuarve të Ramës, Bazhdari pritet të jetë një prej kandidaturave. Një tjetër emër që shihet si potencial për të marrë drejtimin e PS Shkodër është ish-kryetari i Komunës Pult Martin Cubi. Gjithnjë në zgjedhjet lokale por edhe qëndrore Cubi është shpallur fitues në komunën e tij gjë e cila e ka afruar edhe më shumë me Edi Ramën. Nuk mbetet pas edhe Luan Heta. Krahu i djathtë i Keti Bazhdarit gjatë fushatës elektorale, sërish anëtar në këshillin bashkiak, Heta mund të tentojë të rikthehet në krye të PS. Më parë drejtoi socialistët për 2 vite, në periudhën 2012-2014 pas dorëheqjes së Keti Bazhdarit. Ndryshe nga të tjerët Heta në atë kohë do të komandohej. Pas një ftohje të tij me deputetët e Shkodrës, Heta qëndroi mënjanë duke mos u përfshirë në punët e partisë teksa në vend të tij në 2014-ën u komandua Andi Halluni që ende sot drejton të majtët. Edhe ky i fundit nga burime brenda PS thuhet se mund të jetë një prej kandidatëve në zgjedhjet e shtatorit. Kështu prej 5 vitesh, socialistët në Shkodër nuk kanë një kryetar të zgjedhur por vetëm të komanduar gjë e cila ka sjellë edhe shumë pakënaqësi duke qenë një prej shkaqeve që mbase solli humbjen e thellë të PS e cila në qarkun Shkodër doli forcë e tretë.

Artikulli paraprakKREMTOHET NË SHIROKË FESTA E SHËN RROKUT
Artikulli tjetërPUBLIKOHEN 240 “PIKAT E ZEZA” TË RRUGËVE SHQIPTARE