
Grupi Parlamentar i Partise Socialiste të Shqipërisë do të zhvillojë ditën e enjte një mbledhje të zgjeruar me ministrat e kabinetit qeveritar, e përqendruar në prezantimin e punës së deritanishme dhe prioritetet kryesore.
Takimi do të nisë në orën 11:00 me fjalën hapëse të Kryeministrit, Edi Rama. Më pas, ministrat do të paraqesin raportet e tyre përkatëse, me një kohëzgjatje prej 7 minutash secili.
Në rendin e diskutimeve pritet të përfshihet edhe çështja e imunitetit të Zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, për të cilën Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar autorizim për arrestim.
Në përfundim të mbledhjes, fjalën do ta marrë Kryetari i Grupit Parlamentar, Taulant Balla.
Kujtojmë se pas mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, Balla deklaroi se kjo do të jetë mbledhja e parë e grupit parlamentar që do të vendosë lidhur me kërkesën për kolegen e tyre, Belinda Balluku.






