Presidenti serb Aleksandar Vuçiç është përplasur me Komisionin Evropian pas reagimit të Brukselit ndaj deklaratave të tij për një ndryshim të mundshëm të rrjedhës së lumit Ibër. Vuçiç ka kundërshtuar qëndrimin e BE-së dhe ka ngritur akuza të reja ndaj institucioneve evropiane lidhur me situatën në Kosovë. Reagimi i tij erdhi pasi zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anita Hipper, tha se deklaratat për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit nuk ndihmojnë në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe se zgjidhjet duhet të arrihen përmes dialogut.

“Po flisni për dialogun që nënshkruat edhe për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe?”, u shpreh ai, ndërsa përmendi edhe pretendimet e Beogradit për arrestime dhe trajtim të serbëve në Kosovë.

Vuçiç u ndal veçanërisht te reagimi i shpejtë i Brukselit ndaj deklaratës për lumin Ibër. Sipas tij, BE-ja nuk ka reaguar me të njëjtën shpejtësi për çështjet që Serbia i konsideron problematike në Kosovë. Ai tha se ndryshimi i rrjedhës së lumit Ibër nuk është një çështje që mund të realizohet menjëherë dhe se fillimisht nevojiten ekspertë dhe një grup pune.

“Na duhen edhe ekspertë të tjerë, kështu që le të shohim se çfarë do të bëjmë dhe si do ta bëjmë”, tha Vuçiç.

Ai e lidhi këtë çështje me qëndrimin e BE-së dhe kërkoi që Brukseli të mos i japë leksione Serbisë për dialogun dhe marrëveshjet.

“Mos u shtirni se jeni këtu për ndonjë lloj dialogu”, tha Vuçiç, duke shtuar se, sipas tij, Serbia nuk po përballet me një qasje të barabartë nga institucionet evropiane.

Në fund, presidenti serb e përshkroi bisedën mes gjeneral Mojsiloviçit dhe komandantit të KFOR-it si një nga komunikimet më të vështira mes tyre deri tani. Nga ana tjetër, Komisioni Evropian ka mbajtur qëndrimin se çdo çështje që lidhet me marrëdhëniet Kosovë-Serbi duhet të trajtohet përmes dialogut dhe se deklaratat për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër nuk kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve mes dy palëve.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakTËRMETI NË KOLUMBI/ MEPJ: NUK KA SHQIPTARË MES VIKTIMAVE, PO VIJOJMË VERIFIKIMET. KËRKONI NDIHMË NË NUMRIN E EMERGJENCËS SË AMBASADËS SË SHQIPËRISË NË BRAZIL
Artikulli tjetërZJARRET NË VEND/ 25 VATRA ZJARRI NË 24 ORË, 9 AKTIVE, ANGAZHOHEN 395 FORCA DHE MJETE AJRORE NË TERREN PËR SHUARJEN E FLAKËVE