Një vatër zjarri është rishfaqur gjatë natës në zonën e Gojanit të Vogël, në territorin e Bashkisë Pukë, ndërsa strukturat e emergjencave kanë vijuar menjëherë ndërhyrjen për izolimin e flakëve. Operacioni ka nisur rreth orës 01:00, ku në terren janë angazhuar 5 mjete zjarrfikëse dhe 18 efektivë të MZSH Pukë, së bashku me punonjës të Shërbimit Pyjor, shërbimeve vendore dhe banorë të zonës. Në orët e para të mëngjesit, operacionit iu bashkuan edhe 20 efektivë të Forcave të Armatosura, të pajisur me pompa shpine dhe mjete të tjera të nevojshme për ndërhyrjen.

Për shuarjen e zjarrit është ndërhyrë edhe nga ajri me helikopterë. Ndërhyrja ajrore, e kombinuar me punën e forcave në terren, ka bërë të mundur izolimin e vatrës në Gojan të Vogël. Ndërkohë, edhe vatra në Prozhëm-Shkodzë raportohet e izoluar dhe vijon të jetë nën kontroll të vazhdueshëm. Aktualisht, situata në territorin e Bashkisë Pukë paraqitet nën kontroll dhe, sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për banesat.

Forcat tokësore vijojnë punën për kontrollin e plotë të perimetrit dhe monitorimin e vazhdueshëm të zonave të prekura, me qëllim parandalimin e riaktivizimit të flakëve. Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër, në bashkëpunim me AKMC-në, Bashkinë Pukë, Forcat e Armatosura dhe strukturat e tjera të mbrojtjes civile, po vijon koordinimin dhe monitorimin e situatës në terren.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakVRASJA E DYFISHTË NË DUKAGJIN, ZBARDHEN DETAJE/ DY PERSONA I ZUNË PRITË MAKINËS, BABË E BIR U QËLLUAN ME BRESHËRI
Artikulli tjetërI ARMATOSUR RUANTE PARCELAT ME KANABIS, IDENTIFIKOHET DHE SHPALLET NË KËRKIM 30-VJEÇARI NË PUKË