Vijon puna nga Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të gjuetisë së paligjshme. Bllokohen 3 armë gjahu nga Policia në momentin e konstatimit të ushtrimit të gjuetisë së paligjshme.

Procedohen administrativisht 3 shtetas për gjueti të paligjshme. Në zbatim të planit të masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të gjuetisë së paligjshme dhe në zbatim të ligjit “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë”, Komisariati i Policisë Pukë ka marrë informacion se në aksin rrugor Gjegjan- Fushë Arrëz, tre shtetas kanë ushtruar gjueti të paligjshme.

Menjëherë shërbimet e policisë në bashkëpunim me Inspektorët e Drejtorisë së zonave të mbrojtura, kanë konstatuar këta shtetas, duke levizur me mjetin tip Land Rover, të cilët kishin ushtruar gjueti në atë zonë. Policia ka bërë bllokimin e armëve të gjahut, si dhe Inspektorët e zonave të mbrojtura i kanë ndëshkuar me masë administrative. Shërbimet e policisë edhe në ditët në vijim do të vazhdojnë punën për zbatimin e ligjit “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë” dhe ndëshkimin e tyre me masë administrative.