Kjo është shtatorja e shenjtores Nënë Tereza e cila nga sot do të qëndrojë e vendosur në fshatin Dacaj të Pultit në Dukagjin, me një fushëpamje të bukur nga malet e Dukagjinit deri në liqenin e Shkodrës. Në 5 vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës kjo shtatore u mundësua nga biznesmeni me prejardhje nga ajo zonë Tom Sahatçija i cili shprehet i emocionuar pas realizimit të një prej ëndrrave të mëdha që kishte.

Administratori i Pultit Tom Marku thotë se shtatorja e Nënë Terezës do të mirëpresë të gjithë ata turistë që do të zgjedhin atë rrugë për të shkuar drejt Dukagjinit ndërsa administratori i Postribës Altin Shabaj kërkoi më shumë investime për këto fshatra.

Shoqata atdhetare “Dukagjini” vendosi një kurorë me lule në shtatoren e Nënë Terezës ndërsa përfaqësuesit e kësaj shoqate u shprehën se zona e Pultit por edhe fshatrave të tjerë të Dukagjinit janë lënë në harresë edhe pse mundësitë për zhvillimin e turizmit janë të mëdha.

Fshati Dacaj është i vetmi në njësinë Pult por edhe në gjithë zonën e Dukagjinit që gjysmën e banorëve i ka të besimit të krishterë dhe gjysmën të besimit musliman por duke jetuar në harmoni të plotë. Musli Sukaj, që i përket besimit mysliman mirëpret vendosjen e shtatores të shenjtores Nënë Tereza dhe shpreson që të kthehet në vend peligrinazhi si dhe për organizim festash të ndryshme.

Gjatë inagurimit të vendosjes së shtatores të shenjtores Nënë Tereza pati edhe një aktivitet artistiko kulturor. Zona e Pultit ka me dhjetra resurse, që presin të zbulohen, por që të ndodhë kjo, duhet përmirësuar infrastruktura rrugore, sistemi i shpërndarjes së energjisë elektrike apo edhe investime të tjera.