Policia në Kenia ka nisur një hetim pasi një anëtare e stafit të BBC është gjetur e pajetë në kryeqytetin Nairobi. Kate Mitchell, një britanike e cila punonte për BBC Media Action në një numër vendesh afrikane ka ndërruar jetë të premten.

BBC Media Action është një organizatë bamirësie ndërkombëtare e korporatës dhe projektet e saj fokusohen në përdorimin e medias dhe komunikimit për të trajtuar pabarazinë në mbarë botën. Deri më tani, nuk ka të dhëna që vdekja e Mitchell e cila u gjet e pajetë në një hotel në qytet të ketë lidhje me punën që bënte në organizatë.

Dhe ndërsa rrethanat e sakta të vdekjes së saj mbeten të paqarta, policia u tha mediave lokale se rasti po hetohet si vrasje.

“Autori i dyshuar u hodh nga kati i tetë i hotelit nga dritarja e dhomës pasi pa se sigurimi i hotelit mund të ishte pas tij,” u tha gazetarëve komandanti i policisë rajonale të Nairobit, Augustine Nthumbi.

“Ne jemi të gjithë të tronditur dhe të tmerruar nga ky lajm i tmerrshëm”, tha në një deklaratë CEO e BBC Media Action, Caroline Nursey.