Vizita në Meksikë duket se i ka lënë mbresa të mëdha bukuroshes Armina Mevlani.

Për këtë arsye ajo ka vendosur t’ua rekomandojë të gjithë atyre që janë kuriozë për plazhet fantastike të Meksikës por jo vetëm kaq.Ajo ka paraqitur një guidë për vendet që duhet të shikoni dhe të frekuentoni, plazhet apo “haciendat” (fermat). Ja çfarë shkruan Armina Mevlani në blogun e saj. Nëse keni vendosur të vizitoni Meksikën dhe plazhet e saj, mund t’ju jap disa këshilla të vogla për vendet që duhet të shikoni dhe të frekuentoni, plazhet apo “haciendat” (fermat), duke qenë se sapo jam kthyer nga ai vend i mrekullueshëm. Gjithmonë kam pasur një lidhje të fortë me Meksikën, për shkak të filmave, faktit që më pëlqejnë shumë kërcimet si salsa apo bachata, por edhe sepse jam një fanse e muzikës së ndier meksikane apo latine. Për të kuptuar edhe më mirë këngët që dëgjoja apo kërceja, apo edhe për të kuptuar filmat në spanjisht, vendosa ta mësoja këtë gjuhë në një moshë të hershme dhe sot e zotëroj më së miri. Kisha pritur mjaft për të vizituar atë vend derisa erdhi çasti i duhur. Vendosa ta nisja me pjesën e plazheve “Riviera Maja”, 30 minuta larg Kankunit dhe qëndrova në një hotel që jua këshilloj të gjithëve, “Grand Velas”, buzë detit; gjithashtu ju këshilloj të provoni restorantin “La Passion”, ndërsa për ushqim tradicional meksikan në Kankun, restorantin “Habichuela”. Ndër vendet që duhet të vizitoni, restorantet apo Spa-të, janë hotelet “Grand Velas” dhe “Rosewood Mayacoba”, mjaft pranë njëri-tjetrit.

– Bëni një vizitë në qendër të Kankunit, në zonën ku ndodhen edhe dyqanet “La Isla”.

– Nëse keni mundësi, merrni një “ferry” dhe vizitoni këta dy ishuj: “Isla Mujeres” dhe “Cozumel”, ku mund të provoni një eksperiencë të paharrueshme në zhytje.

– Një tjetër veçanti për t’u provuar në këto zona, janë mrekullitë, ujërat nëntokësore që quhen “cenote” dhe ku duhet të notoni patjetër. Ndodhen kudo dhe ka mjaft në tërë zonën.

– Nuk duhet të humbisni edhe “Jungle Safari”. Hoteli ku do të qëndroni mund t’ju sugjerojë një afër jush.

– Nëse ndodheni në zonën e “Playa del Carmen” apo në Kankun, mos e humbni mundësinë për të kaluar dy apo tre net në Tulum, ku deti është një përrallë dhe ka mjaft bare, organizohen festa rinore apo aktivitete të ndryshme, si për shembull të merrni biçikleta me qira apo të bëni sporte të ndryshme.

Gjatë kësaj rruge ka një qytet shumë të bukur për të parë dhe për të bërë foto, që quhet Valadolid. Gjithashtu, një orë larg piramidave ndodhet Hukatani, (Yucatan), me kryeqytet Meridën, ku ka gjithashtu shumë “hacienda” të mrekullueshme, tamam si ato të filmave, ku edhe ju këshilloj të kaloni një ose dy net. Unë përzgjodha haciendën “Temozon” dhe më pëlqeu mjaft eksperienca në të.

Artikulli paraprakVESELI, VIZITË ZYRTARE NË SHQIPËRI
Artikulli tjetërTËRMET NË ITALINË QËNDRORE, FRIKË E PANIK TEK BANORËT