Presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi të mërkurën ( 20 tetor) qytetarët rusë të mos shkojnë në punë për një javë, për shkak të rritjes së rasteve me Covid-19 dhe vdekjeve nga pandemia, duke u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të vaksinohen.

Task forca qeveritare e koronavirusit raportoi 1,028 vdekje në 24 orët e fundit, numri më i lartë që nga fillimi i pandemisë. Kjo e çoi numrin e vdekjeve në Rusi në 226,353, deri tani më i larti në Evropë.

Si rrjedhojë, Vladimir Putin, tha se nga data 30 tetor do të nisë “java mbarëkombëtare e mospunës”, si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Putin tha se rajonet me situatë më të rëndë mund ta nisin këtë javë nga 23 tetori dhe shtoi se ajo mund të zgjatet, në varësi të situatës.

“Detyra jonë sot është të mbrojmë jetën dhe shëndetin e qytetarëve tanë dhe të minimizojmë pasojat e infeksionit të rrezikshëm,” tha Putin në një video thirrje me zyrtarët e lartë. “Për ta arritur këtë, është e nevojshme që para së gjithash të ngadalësohet ritmi i infektimit dhe të mobilizohen rezerva shtesë të sistemit të kujdesit shëndetësor, i cili aktualisht po punon nën një presion të lartë.”

Periudha pa punë duhet të ndihmojë në kufizimin e përhapjes duke i mbajtur njerëzit jashtë zyrave dhe jashtë transportit publik të mbushur me njerëz, por Moska dhe shumë qytete të tjera nuk e kanë frenuar qasjen në restorante, kafene, bare, filma dhe palestra.

Kur Kabineti propozoi masën, shumë rusë nxituan të prenotojnë fluturimet në vendpushimet e Detit të Zi për të përfituar nga pushimi.

Artikulli paraprakFMN KONFIRMON: SHQIPËRIA KISHTE VDEKSHMËRINË MË TË LARTË SHTESË NË EUROPË NË PANDEMI, EDHE PSE ME MOSHË TË RE
Artikulli tjetërGRUAJA QË MUND T’I JAPË FUND KARRIERËS POLITIKE TË VUÇIÇIT!