Këto pamje janë në Qafë Thore aty ku bujtina “Buni i Bajraktarit” me të gjitha ndërtesat që ka patur është djegur plotësisht. Persona ende të paidentifikuar mendohet se gjatë natës së mbrëmshme i kanë vënë flakën gjithë godinave në mënyrë të qëllimshme duke i djegur të gjitha dhe duke shkaktuar një dëm kolosal prej afro 3 milion euro.

Sipas burimeve brenda ndërtesave nuk ka qenë askush, kjo edhe për shkak të borës që vazhdon të jetë prezente në rreth 3-4 metër atje. Bujtina “Buni Bajraktarit” është në pronësi të biznesmenit Gëzim Ola i cili ka ardhur nga Londra për të bërë një investim kolosal në Qafë Thore por papritur i gjithë investimi i tij prej afro 3 milion euro është shkrumbuar nga flakët e zjarrit.

Tashmë ka nisur një hetim për këtë ngjarje të rëndë por deri më tani është ende e paqartë se kush mund të jenë autorët edhe pse ka dyshime të forta se janë banorë aty afër. Pronari Gëzim Ola në një komunikim me Star Plus Tv ka deklaruar se ai nuk ka asnjë konflikt me askend ndërsa ka dyshime të forta se djegia e bujtinës së tij është e qëllimshme dhe mund të jetë për shkak të konkurencës por pa e patur idenë se kush mund të jenë autorët.

“Kam ardhur nga Londra për të investuar. Zjarri mendoj se është i qëllimshëm sepse e kanë djegur me benzinë bujtinën time. S’kam pasur probleme dhe as përplasje me askend dhe nuk e di kush mund ta ketë bërë.

Mund të jetë edhe për çështje konkurence por për momentin nuk kam asnjë dyshim se kush mund të jenë autorët. Demi që më është shkaktuar kap vlerën e 3 milion euro përafërsisht sepse kanë djegur gjithçka që kam patur, lokalin e vjetër dhe ndërtesat e reja që janë bërë dhe ata që ishin në ndërtim e sipër thuajse drejt përfundimit.

Për pak kohë isha bërë gati që të bëj hapjen e bujtinës së re por tashmë e gjitha është shkrumbuar nga flakët. Kërkoj që kjo ngjarje të zbardhet sa më parë dhe autorët të vihen përpara përgjegjësisë”, deklaroi pronari i bujtinës së djegur.

Pas zjarrit që dyshohet se është i qëllimshëm policia e Shkodrës ka nisur një hetim për të bërë të mundur gjetjen e shkaqeve të zjarrëveniës dhe identifikimin e më pas gjetjen dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarje të rëndë me një dëm që kap vlerën e afro 3 milion euro.