Shkodër

Vijojnë kontrollet për goditjen e paligjshmërisë dhe kapjen e personave që qarkullojnë me armë.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Bërdica”.

Lëvizte me armë zjarri me vete, kapet dhe arrestohet në flagrancë gjatë operacionit, 48-vjeçari.

Në zbatim të planit të masave për rritjen e parametrave të sigurisë, parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas që lëvizte me armë zjarri me vete ishte futur në një lokal në Bërdicë, menjëherë është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Bërdica”.

Në kuadër të operacionit, nga Forcat Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër u kap dhe arrestua në flagrancë shtetasi B. K., 48 vjeç, banues në fshatin Berdicë, Shkodër.

Arrestimi i tij u bë pasi, në një lokal në fshatin Berdicë, gjatë kontrollit të ushtruar ndaj këtij shtetasi, punonjësit e Policisë kanë konstatuar se ai mbante me vete një pistoletë tip zastava, me një krehër me 9 fishekë, pa lejen e organeve kompetente.

Arma e zjarrit pistoletë dhe fishekët u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit”.