Policia e Shkodrës ka arrestuar edhe personin e tretë, i cili akuzohet se ka qëlluar me armë zjarri mbi një automjet në 26 shtator në Velipojë.  

Në pranga është vënë Kanto Vushmaqi, 52 vjeç, banues në Velipojë i cili është babai i dy vëllezërve Edmond dhe Kristian Vushmaqi, të arrestuar më parë. Policia sqaron se: Në vijim të operacionit “Exit” ku u kapën dhe u arrestuan 2 vëllezërit, dhe u bë e mundur zbardhja e ngjarjes së ndodhur në fshatin Mali Kolaj, Velipojë, sot më datë 25.11.2016 u bë e mundur edhe kapja e personit të tretë, (babit të 2 vëllezërve) pasi më datë 26.09.2016, Kanto Vushmaqi në bashkëpunim me 2 djemtë e tij, Edmond dhe Kristian Vushmaqi, dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të një fugoni, ku ndodhej pasagjer shtetasi K.M, 42 vjeç, banues në Velipojë, i cili ka qënë objekt sulmi në këtë ngjarje. 52-vjeçari ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Vrasje në rrethana cilësuese ndaj dy ose më shumë personave”, e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve, municioneve luftarake dhe armëve të gjahut” parashikuar nga nenet 79, 22, 25, 278 e 280 të Kodit Penal.