Detaje të reja janë zbardhur për ngjarjen e rëndë në fshatin Guci e re ku 74 vjeçari Beqir Xhilaj vrau bashkëshorten e tij Lumturie Xhilaj.

Burime pranë policisë bëjnë me dije se 74 vjeçari nuk e ka pranuar në mënyrë të drejtpërdrejtë vrasjen e bashkëshortes së tij pavarësisht se në njoftimin zyrtar thuhet se autori i dyshuar i vrasjes ka marrë përsipër vrasjen e 47-vjeçares. Beqir Xhilaj mësohet se kur është marrë në pyetje nga oficerët e policisë ka qenë në një gjendje tejet të rënduar psikoligjike.

Gjatë marrjes në pyetje 74 vjeçari nuk ka qenë aspak i qartë në përgjigjet e tij. Disa herë është treguar edhe kontradiktor në lidhje me rrethanat e ngjarjes së rëndë të ndodhur në Guci të Re. Beqir Xhilaj për një kohë të gjatë ka këmbëmngulur duke thënë se nuk e ka vrarë ai 47-vjeçaren dhe se shtetasja Lumturi Xhilaj ka vrarë veten.

I pyetur nga oficerët se si ka mundësi që ajo të ketë vrarë vetën teksa mbi të janë qëlluar 4 plumba nga një çifte teke e cila mbushat me fishekë në mënyrë manual çka do të thotë se duhet hapur me dorë për çdo plumb që futet në të. 74 vjeçari është përgjigjur duke i thënë oficerit të policisë “meqë ti e di atëherë shko gjeje ti se kush e ka vrarë. Unë nuk e kam qëlluar”.-ka deklaruar i nervozuar Beqir Xhilaj.

Edhe në vazhdimësi përgjigjet e tij nuk kanë patur një logjikë duke ndryshuar disa herë rrethanat e ngjarjes gjë e cila ka çuar policinë në arsyetimin se 74 vjeçari është autori i vrasjes të Lumturie Xhilaj. Po ashtu burime nga vendngjarje tregojnë se 74 vjeçari ka qenë 5 herë i martuar dhe ka tetë fëmijë, 3 fëmijë me gruan e tretë dhe 5 fëmijë me gruan e katërt.

Beqir Xhilaj është akuzuar për vrasjen e gruas së katërt por ka bërë burg vetëm 5-6 muaj sepse ekspertiza dhe gjykata e kanë cilësuar si vetëvrasje. Për këtë ngjarje i është bërë dy herë tentativë për vrasje dhe herën e dytë në atentat është qëlluar në njërin nga krahët e tij duke u detyruar ta këpusë. Beqir Xhilaj pasi qëlloi për vdekje bashkëshorten Lumturie Xhilaj do të gjykohet nën akuzën “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.