Anëtari i Partisë Demokratike në Kurbin Van Rica, i cili qëlloi me armë zjarri pas një konflikti në selinë e kësaj force politike u liruar nga paraburgimi pasi do të hetohet me masën sigurisë detyrim paraqitje. Ai u njoh këtë të premte me masën e sigurisë në Gjykatën e Kurbinit dhe prokuroria Matilda Fetahu, kishte kërkuar që të qëndrojë në burg 45 ditë për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Kanosja” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Por pasi dëgjoi palët gjyqtari Olti Skrame, vendosi që ta lirojë nga qelia 53-vjeçarin Van Rica, me argumentin se armën e kishte patur me leje, duke qenë se ishte përgjegjës i një policie private.

Ndërkohë vetë i akuzuari nuk ka folur në lidhje me ngjarjen, por vetëm avokati i tij Pashk Gjaci i cili pretendoi se klienti i tij ishte i pajisur me leje për armën me të cilën qëlloi dhe sipas palës mbrojtëse kemi të bëjmë vetëm me prishje të qetësisë publike. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 28 nëntorit të këtij viti gjatë një takimi të Partisë Demokratike në Kurbin ku Van Rica i cili mbështeste kandidatin Edmond Shkoza kishte kërkuar anëtarësimin e disa simpatizantëve, por kjo është kundërshtuar nga nënkryetari i degës së Partisë Demokratike Kastriot Marku me pretendimin se kishte përfunduar afati i anëtarësimeve.

Në debat e sipër Van Rica ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në korridoret e zyrave të Partisë Demokratike dhe më pas është larguar, por fatmirësisht nuk pati persona të lënduar ndërsa pasi fillimisht u arrestua nga policia e Lezhës, gjykata e liroi me masën “detyrim paraqitje”.