
Në një kohë kur shumë të rinj ëndërrojnë të ardhmen jashtë kufijve, një grup nxënësish të shkollës 9-vjeçare “At Shtjefën Gjeçovi” në Lezhë kanë zgjedhur të flasin ndryshe. Ata kanë nisur një fushatë me mesazhin “Qëndro në Shqipëri”, për të treguar se vendi ynë ka potencial, mjafton ta shohim me sytë e duhur.
Të “armatosur”me mesazhe shprese, nxënësit kanë përshkuar rrugët e Lezhës, duke u ndalur pranë qytetarëve dhe duke ndarë bindjen e tyre se largimi nuk është gjithmonë zgjidhja.
Fushata synon të ngrejë pyetje e të nxisë reflektim, jo vetëm mes të rinjve, por edhe në nivel komunitar. Mesazhi i tyre është i thjeshtë, por i fuqishëm: të mos dorëzohemi përpara vështirësive, por të ndërtojmë të ardhmen këtu ku jemi.