Qeveria greke ka avancuar në një tjetër privatizim, kësaj here të portit të dytë më të madh të vendit, atë të Selanikut.

Fondi i shfrytëzimit të aseteve publike shpalli fitues të tenderit përkatës një konsorcium, që do të paguajë për blerjen e 67% të aksioneve të portit, një shumë prej rreth 232 milionë eurosh. Konsorciumi përbëhet nga një kompani gjermane, një greke dhe një franceze. Në fakt, vlera totale e marrëveshjes arrin në 1,1 miliardë euro dhe përfshin ndërmjet të tjerash, detyrimin për 180 euro investime për shtatë vitet e ardhshme, si dhe të ardhurat që do të futen si taksa në buxhetin e shtetit.

Kontrata e dhënies me koncesion do të përfundojë në vitin 2051. Ky është porti i dytë i madh që privatizohet në Greqi, pas atij të Pireut që iu dha vitin e kaluar gjigandit kinez, Cosco për 370 milionë euro. Edhe pse qeveria e kryesuar nga Aleksis Tsipras deklarohet në mënyrë konstante kundër privatizimit të aseteve publike, është e detyruar të zbatojë planin e privatizimeve që ajo e kundërshtonte me kaq forcë kur ishte në opozitë.

Në një përpjekje për të ndryshuar këtë ndryshim 180 gradësh të qëndrimit të tij, zoti Tsipras i ka justifikuar privatizimet me faktin se sipas tij ofertat janë përmirësuar dhe se të ardhurat nga shitja e aseteve do të përdoren për projektet e mbështetjes sociale.

Artikulli paraprakFLECKENSTEIN DHE MCALLISTER SOT NË TIRANË, VIJNË ME DRAFT MARRËVESHJE
Artikulli tjetërOPOZITA SYNON RRËZIMIN E QEVERISË ME VOTAT E PDK-SË DHE LDK-SË