Këshilli i Ministrave miratoi sot me vendim kriteret dhe procedurat e kompensimit për punonjësit e Policisë së Shtetit, në rastet e largësisë së punës nga vendbanimi, kostot e transportit, papunësisë së bashkëshortit/ës dhe pagesës së qirasë për strehim.

Kompensimi për transportin
Punonjësit e Policisë, të cilët emërohen ose transferohen përkohësisht apo përhershëm jashtë vendbanimit, do të përfitojnë pagesë mujore për transport, bazuar në distancën nga vendbanimi:

Nga 36 km deri 60 km: 10,000 lekë
Nga 61 km deri 100 km: 15,000 lekë
Nga 101 km deri 150 km: 20,000 lekë
Nga 150 km deri 200 km: 25,000 lekë
Mbi 200 km: 30,000 lekë

Kompensimi për papunësinë e bashkëshortit/es

Në rast se një punonjës policie transferohet për shkak të detyrës dhe bashkëshorti/a humbet vendin e punës, do të përfitojë pagesë mujore deri në momentin e punësimit të ri. Masa e pagesës do të variojë nga 50% e pagës minimale në shkallë vendi deri në 100% të pagës mesatare mujore të vitit të fundit të punës, në varësi të viteve të eksperiencës.

Kompensimi i qirasë për strehim
Punonjësit që transferohen mbi 36 km larg vendbanimit dhe që nuk kanë mundësi strehimi do të përfitojnë pagesë për qiranë e banesës, bazuar në numrin e pjesëtarëve të familjes:

Për punonjësin e vetëm: qira për banesë deri në 43.93 m²
Me një pjesëtar familjar: deri në 56.47 m²
Me dy pjesëtarë familjarë: deri në 79.74 m²
Me tre ose më shumë pjesëtarë familjarë: deri në 80.50 m²
Kompensimi për qiranë do të bëhet përkundrejt paraqitjes së kontratës së noterizuar të qirasë, ndërkohë që punonjësit që përfitojnë qira nuk do të kenë të drejtë për kompensim udhëtimi.

Afati i përfitimeve
Kompensimi për papunësinë e bashkëshortit/es mund të zgjasë deri në 7 vjet, ndërsa përfituesit e mëparshëm të vendimeve të ngjashme do të vazhdojnë të përfitojnë sipas kushteve të përcaktuara, por jo më shumë se 15 vjet në total.

Ky vendim synon të mbështesë punonjësit e Policisë së Shtetit në përballimin e vështirësive që lidhen me zhvendosjet e detyrueshme për arsye shërbimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Artikulli paraprakVKM/ ANDI MEMETI EMËROHET ZËVENDËSMINISTËR I FINANCAVE
Artikulli tjetërSHKODËR, LËVIZTE ME AUTOMJET PËR TË SHITUR NJË ARMË ZJARRI, ARRESTOHET 20-VJEÇARI