
Qeveria miraton Programin Kombëtar të Praktikave të Punës në administratën shtetërore dhe institucionet publike, me qëllim trajnimin 3-mujor dhe më pas punësimin me kontrata 1-vjeçare të të rinjve. Vendimi u mor sot (4 qershor) në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave, propozim ky i ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët dhe bazuar në Nenin 100 të Kushtetutës “për Rininë”. Ky vendim përmban 8 nene të veçanta, ku bien në sy ato që kanë të bëjnë me kriteret, normat, numrin e të rinjve që do kualifikohen, trajtimin e tyre financiar ditor dhe punësimin në administratë, sipas kërkesave dhe hapësirave. Qëllimi është përfshirja në një eksperiencë dhe integrim i të rinjve profesionistë në administratën publike, qëndrore dhe vendore. Programi parashikon 3 muaj trajnim dhe 1 vit punësim me kontratë. Praktika dhe viti i kontratës do njihen edhe si vjetërsi pune. Çdo vit do trajnohen 600 të rinj dhe vetëm 250 prej tyre kualifikohen për punësim sipas klasifikimit nga institucionet përkatëse. Në nenin nr. 2 parashikohen edhe kriteret, ku veçohen mosha 21-29 vjeç, i diplomuar, të mos ketë qenë pjesë e programit më parë apo i punësuar në institucione:
“Kriteret, që duhet të plotësojë aplikanti për t’u bërë pjesë e këtij programi, janë, si më poshtë vijon- Të jetë i ri nga mosha 21 deri në 29 vjeç; Të jetë diplomuar në një program studimi të ciklit të parë apo të ciklit të dytë, të ofruar nga një institucion i arsimit të lartë; Të mos ketë qenë pjesë e programit në thirrjet e mëparshme;) Të mos ketë qenë i punësuar në institucionet e administratës shtetërore apo institucione të tjera publike në të shkuarën, me përjashtim të punësimit si punonjës administrativ”.
Shpenzimet i heq të jitha buxheti i shtetit dhe pagesa ditore do të jetë 500 lekë, kurse të rinjtë do të kenë edhe trajtim me ushqim.
Në Nenin nr. 5 parashikohen edhe numri i kursantëve që do trajnohen dhe trajtimi i tyre.
“Numri i praktikantëve, që përfshihen në periudhën 3 (tre)-mujore të praktikës në kuadër të thirrjes vjetore të Programit Kombëtar të Praktikave të punës, në çdo rast, nuk është më shumë se 600 (gjashtëqind) praktikantë. Gjatë periudhës së kryerjes së praktikës, praktikanti përfiton: trajtim ushqimor në formën e kompensimit financiar; trajnim në kuadër të një programi të posaçëm trajnimi pranë Shkollës Shqiptare të Administratës Publike (referuar në vijim ASPA). Vlera ditore e kompensimit financiar është 500 (pesëqind) lekë dhe i akordohet praktikantit për çdo ditë praktike të kryer prej tij. Pagesa e kompensimit financiar kryhet nga Agjencia Kombëtare e Rinisë, e cila programon në buxhetin e saj fondet e nevojshme për këtë qëllim”, theksohet në vendim.
Por jo të gjithë do të jenë përfitues të punësimit 1-vjeçar në fund të programit. Në nenin nr. 6 parashikohet se në përfundim të periudhës 3-mujore të praktikës, deri në 250 nga praktikantët e thirrjes vjetore përzgjidhen nga institucionet ku kanë kryer praktikën për t’u punësuar me kontratë. Nga këta: deri në 200 praktikantë për institucionet e administratës shtetërore, deri në 50 praktikantë për institucionet e tjera publike.
Praktikanti duhet të ketë mbyllur me sukses programin e ASPA-s dhe përzgjedhja bëhet nga secili institucion, bazuar në performancë. Klasifikimi i këtyre të rinjve nuk bëhet më lartë se kategoria spceialist i nivelit IV-3.