Deputetja e Partisë Demokratike, Majlinda Bregu, e pyetur për një koalicion qeverisës midis Ramës dhe Bashës, thotë se çfarëdo që të ndodhë, duhet të jetë e bazuar mbi parime të sakta dhe jo marrëveshje individësh.

Bregu: Mua më intereson që PD të vazhdojë të mbetet forcë kryesore politike në vend, kjo është më e rëndësishmja. Nuk jam e prirur që pavarësisht analizave që mund të bëjë secili prej nesh që të dënoj apo komentoj diçka të cilën nuk e shoh të arrirë. Edhe sikur të ketë nevojë për një koalicion të madh nesër siç flitet, çfarëdolloj gjëje që mund të ndodhi duhet të jetë e bazuar në parime të sakta dhe jo në marrëveshje individësh. Unë i besoj kompromisit i cili vendoset mbi disa themele kur palët janë fituese të dyja bashkë, nuk i besoj diskutimeve, debateve apo pazareve të cilat bëhen vetëm për të mbyllur dhe për të siguruar të ardhmen e individëve.

Duke komentuar mos përfshirjen në listat për deputete, Bregu thotë se askush nuk pret sot që të ndodhë ajo që dikur komunistët thoshin për Enver Hoxhën.

Bregu: Unë do doja dhe besoj se kjo është një betejë që as fillon në zgjedhjet e 2017 dhe as nuk do të mbarojë pas datës 25 qershor që ka të bëjë me kthimin dhe respektimin e institucionit të partisë. Partia nuk është dhe nuk besoj se askush sot në 2017 pret që të ndodhë ajo që dikur komunistët thoshin për Enver Hoxhën, kur themi partia nënkuptojmë Enverin dhe kur themi Enveri nënkuptojmë partia. Partia është një grupim njerëzish me kontribute dhe asetet e tyre ndër vite, duke respektuar sigurisht edhe ata që vendosin për t’iu bashkuar një force politike si rishtarë, dhe për mua ka rëndësi që PD, e përsëris të mbetet parti kryesore e shqiptarëve.  Kjo është koha kur shqiptarët arrijnë ta bëjnë fare mirë dallimin; çfarë do të thotë të qeverisësh dhe ta përdorësh pushtetin për të ndihmuar dhe për të ndryshuar dhe për ta bërë vendin më të mirë dhe çfarë do të thotë ta kesh pushtetin vetëm për të forcuar pushtetin tënd personal.

Ajo thotë se nuk i është kërkuar që të angazhohet në fushatë siç ka ndodhur më herët.

Bregu: Dhe kur kemi qenë deputet kemi patur krah nesh të atashuar personalitete të PD të cilët vinin për të mbuluar dhe u ishte caktuar detyra për të mbuluar zona të caktuara. Nuk ka ndodhur kjo gjë këtë herë. Por unë nuk jam në PD për t’i bërë fresk asnjë individi dhe as për të kundërtën, që do të thotë që PD është partia që unë kam zgjedhur dhe partia në të cilën unë do të vazhdoj të jem, dhe askush nuk më ndal dot që të dal të bëj fushatë, të flas , të takoj njerëz. Por, mesa duket rutina e të përditshmes, apo vorbulla e punëve dhe politika e madhe që na zë ndonjëherë, të vështirëson frekuencën e takimit të shpeshtë me njerëzit.