Qiejt jashtë kontrollit – Ish-zyrtari i AC: S’ka radar për avionët e vegjël, rrezik për akte terroriste Autoritetet shqiptare nuk kanë mundësi të monitorojnë futjen e avionëve të vegjël në hapësirën ajrore shqiptare.
Ish-drejtori i Aviacionit Civil, Ervin Minarolli, shpjegon se Shqipërisë i mungon një radar që shërben për sinjalizimin e këtyre fluturimeve. Mungesa e monitorimit të hapësirës ajrore në vend sipas ish-zyrtarit të Aviacionit Civil është një alarm për akte të mundshme terroriste që i kanosen vendit. Hapësira ajrore shqiptare mbetet e pakontrolluar për shkak të mungesës së një radari. Ish-zyrtari i Aviacionit Civil, Ervin Minarolli, shpjegon se shkelja e hapësirës ajrore në vendin tonë në rastin e fundit ka ardhur pasi drejtuesi ka fikur transponderin që shërben për sinjalizim dhe kjo e ka bërë të pamunudur identifikimin e tij. Kostoja e vendosjes së radarit sipas Minarollit shkon mbi 30 milion dollarë. Ervin Minarolli: Nëse ata fikin sinjalizuesin është e pamundur me teknologjinë që është sot në Shqipëri.Ka një mungesë vullneti nga qeveria për të vendosur një radar primar, i cili mund të kontrollonte çdo objekt fluturues në vendin tonë. Përtej rrezikut të trafikut të lëndëve narkotike mungesa e monitorimit sipas ish-zyrtarit është një shqetësim për aktet terroriste. Ervin Minarolli: Ai moment është një këmbanë alarmi për të gjitha strukturat e aviacionit për të filluar për të vendosur kontrollin e territorit. Sot në kushtet kur presioni terrorist është rritur në gjithë botën është e dmosdoshme kontrolli i territorit pasi në rastin më të mirë një avion i tillë është një shpërndarës ilegal i drogave por mund të ishte më keq akoma me pasoja për të gjithë ne. Në kushtet kur Shqipëria nuk ka mundësi teknike për monitorimin e ajrit, ish-drejtuesi i Aviacionit Civil sugjeron më shumë kontrolle në territorin duke nënkuptuar identifikimin e pistave të avionëve. Ervin Minarolli: Kontrolli i territorit. Mungesa e një aerodromi do të bënte të mundur që të mos zhvillohej ky lloj aktiviteti. Monitorimi i hapësirës ajrore në Shqipëri është detyrë që kryhet në bashkëpunim mes Aviacionit Civil dhe Ministrisë së Mbrojtjes.