Policia e Shtetit është duke vazhduar me përpikmëri planin e masave për garantimin e sigurisë së ndeshjes me Izraelin në Elbasan Arena

dhe në kuadër të këtij plani, duke filluar nga ora 15:00, tuneli në rrugën Elbasan-Tiranë do të jetë i bllokuar dhe qarkullimi do të devijohet nga Durrësi. Forca të shumta të policisë janë nisur në orët e paradites drejt Elbasanit, ku në orën 20:45 minuta “Kuqezinjtë” do të përballen me izraelitët në kuadër të eleminatoreve të botërorit rus. Një ditë më parë, skuadra e Izraelit zhvilloi stërvitjen nën masa të rrepta sigurie. Janë rreth 2 mijë forca të Policisë së Shtetit, repartit special RENEA dhe FNSH, ndërkohë që për sigurinë në hotelin ku qëndron skuadra mike është angazhuar edhe Garda e Republikës. Dy ditë më parë, Top Channel raportoi se masat e sigurisë u përforcuan për shkak të sinjalizimeve të marra nga shërbimi sekret izraelit, Mossad për mundësinë e një sulmi ndaj skuadrës së tyre të futbollit. Ndërkohë, në një intervistë dhënë për Top Channel, ambasadori izraelit në Tiranë, Boaz Rodkin nuk i cilësoi si të tepruara këto masa. Ai tha se Izraeli tregohet i kujdesshëm jo vetëm me ekipin kombëtar të futbollit, por edhe me atletët e tjerë në përgjithësi që pas sulmeve terroriste në lojërat olimpike të Mynihut në vitin 1972.

Artikulli paraprakARRESTOHET I RIU, KISHTE LUFTUAR NË SIRI ME ISIS PËR 6 MUAJ
Artikulli tjetër“MOS E LEGALIZONI HASHASHIN! NË QSUT VIJNË DHJETRA TË RINJ NË GJENDJE KRITIKE”